Policia: Protesta në veri përfundoi e qetë, protestuesit janë shpërndarë
Policia e Kosovës ka dalë me raport pas protestës nga qyterët serbë në veri të vendit.
Policia fillimisht ka thënë se protesta ka nisur të mbahet rreth orës 11:00.
“Sot, rreth orës 11:00, në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë Veri ka filluar të mbahet protesta e paralajmëruar e disa qytetarëve të nacionalitetit serb, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën dhe deklarimet për hapjen e urës për qarkullim”.
Protesta siç njofton Policia, ka përfunduar e qetë rreth orës 12:00.
“Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës.
Rreth orës 12:00, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore.” – thuhet në njoftim.