Policia jep detaje për aksidentin ku u përfshi ministri Peci - NACIONALE

Policia jep detaje për aksidentin ku u përfshi ministri Peci

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksidentit në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë, saktësisht tek udhëkryqi Llabjan-Novobërde, ku i përfshirë ishte edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Togeri i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka njoftuar se dyshohet që një veturë më targa 06, në të cilin ishin pesë persona, nuk ka respektuar të drejtën e përparisë së kalimit dhe është ndeshur me një makinë tjetër, ku ishin dy persona.

Hashani për Gazetën Nacionale ka bërë të ditur se të lënduar kanë mbetur të gjithë personat që ndodheshin në makina, si dhe janë shkaktuar dëme materiale.

Me datën 24.06.2023 rreth orës 16:30 në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë saktësisht tek udhëkryqi i fshatit Llabjan -Novobërd njësiti i komunikacionit rrugor Gjilan ka pranuar një informatë për një aksident trafiku me lëndime. Dyshohet se aksidenti të ketë ndodhur kur vetura Pezho me tabela 06 (njësia një) në të cilën ishin pesë persona nuk respekton të drejtën e përparësisë së kalimit dhe ndeshet me njësinë dy (në të cilën ishin dy persona) e cila ishte duke qarkulluar në relacionin e kundërt, me c’rast shkaktohet dëme materiale në të dy njësit. Lëndime trupore pësojnë të gjithë personat që ndodheshin në të dy veturat.” – ka thënë Hashani.

Ai tutje ka njoftuar se pesë personat e makinës së parë kanë pranuar tretman mjekësor në Spitalin e Graçanicës, ndërsa dy personat e makinës tjetër kanë marrë tretman në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Ndërsa të lënduarit e njësisë një (pesë persona) të gjithë kanë pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Graçanicës. Gjersa dy të lënduar të njësisë dy janë trajtuar në spitalin rajonal në Gjilan. Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rrethanat e aksidentit të hetohen nga njësiti hetues i aksidenteve të komunikacionit rrugor në Gjilan.” – ka thënë Hashani për Nacionalen.

Pas aksidentit ka reaguar edhe vet ministri Peci, ku ka thënë se sot gjatë ditës, gjatë një vizite në terren, vetura e tij është goditur nga një veturë tjetër.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se si pasojë ka pësuar lëndime të lehta, por pa pasoja serioze.

Lajme të ngjashme