Policia ia vë drynin Postës së Serbisë në veri
Policia e Kosovës u ka vënë drynin disa objekteve në veri që shfrytëzoheshin nga Posta e Serbisë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Aksionin e konfirmoi për Nacionalen Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës për rajon të veriut, Veton Elshani.
Në një njoftim të fundit për media Policia e Kosovës tha se “nëntë lokacione të tilla” janë identifikuar ndërsa nuk dhanë veprime përfundimtare se si do mbyllet çështja e tyre, por se “varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore”.
Mediumi serb “KoSSeV” raportoi se u është vendosur dryni një zyreje të Postës së Serbisë në Zveçan.
Njoftimi i Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë veriun e Kosovës.
Sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa liçencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.
Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale.
Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore.