Policia hedh gaz lotsjellës ndaj bllokuesve të Komunës së Zveçanit
Policia e Kosovës ka ndërhyrë për t`i larguar protestuesit serbë nga hyrja e komunës së Zveçanit.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Policia e Kosovës ka përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t'i shpërndarë qytetarët që për disa orë kishin bllokuar hyrjen e objektit.
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se është duke i asistuar kryetarët e komunave në veri për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Përmes një komunikate për medie, Policia ka bërë me dije se është duke u angazhuar në mbarëvajtje të sigurisë.
“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Sot janë dëgjuar sirena alarmi në të katër komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës. Me pas, para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.
Kjo ka ndodhur pasi kryetarët e rinj kanë tentuar të futen në objekte komunale për ta ushtruar detyrën e tyre.