Policia sekuestron edhe një sasi të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme ushtarake në Banjskë
Policia e Kosovës ka vazhduar me kontrollimin e terrenit që përfshin fshatin Banjskë – Zveqan ku ka gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme ushtarake.
Përmes një komunikate zyrtare, PK ka bërë të ditur se kanë vazhduar në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në fshatin Banjskë, ka vazhduar kontrollin dhe krehjen e terrenit të asaj zone, e cila ishte shfrytëzuar nga sulmuesit terrorist.
Sendet e gjetura dhe sekuestruara janë evidentuar sipas gjetjes në terren, e të cilat janë si në vijim: Antiplumb, karikator me 30 fishek, kapelë dhe doreza, maskë ngjyrë e gjelbërt, maskë tjetër, antiplumb me tre karikator dhe 90 fishek, çantë e vogël për brez, pjesë e sipërme e uniformes, antiplumb me 3 karikator dhe 85 fishek, armë e gjatë me 5 karikator me nga 30 fishek, një rrip, dy karikator me nga 30 fishek, armë e gjatë dhe dy karikator të pistoletës me nga 15 fishek, gjoksore ngjyrë e zezë me 5 karikator nga 30 fishek dhe një granat dore, armë e gjatë me pesë karikator me nga 30 fishek, armë e gjatë me pesë karikator me nga 30 fishek, armë e gjatë me një karikator me 30 fishek, armë e gjatë me një karikator me 30 fishek, radio lidhje motorol, zolle,kapelë ngjyrë ushtarake, një antiplumb me një karikator dhe 30 fishek, një karikator, radio lidhje, xhakete shiut, një pako me cigare.
“Pas dokumentimit dhe paketimit, të gjitha provat materiale janë tërhequr nga ana e forenzikes, për të vazhduar me procedurat e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim.” – thuhet në përfundim të komunikatës.
Çka u sekuestrua dje?
Gjatë ditës së djeshme Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar opinionin publik se me kërkesë të PSRK-së dhe me urdhër të Gjykatës, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ka zhvilluar aksion për bastisje në pesë (5) lokacione të ndryshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, një ndër to edhe villa e Millan Radojiçiqit, njeriu që organizoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Pas realizimit të urdhër kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: 2 Automjete Mercedes, argjend 4.84 kg, 2 Motor 4X4, 1 Barkë-Anije, 7 DVR, 2 Pllaka antiplumb me dy mbrojtës, 3 Thika, 2 Rutera, 2 Çelësa të veturave, 5 Gëzhoja, 1 Dronë, 5 USB, 1 Kamera GoPro- SSD, 1 Video kamerë me kartelë, 1 Shënjestër optike, 1 Spray, 7 telefona celular.
Armatimi masiv i grupit terrorist serb
Zolla, dronë, kallashnikov, minahedhës, autoblinda, revole, municion. Kjo është vetëm një pjesë e një arsenali masiv armësh që i takonte grupit terrorist serb të kapur nga Policia e Kosovës.
Në këtë konferencë për media, ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë kanë bërë të ditur se në krye të grupit ishte Milan Radojiçiq.





