Policia e Kosovës i arreston dy të dyshuar, u gjetën mbi 2 kilogramë kokainë
Policia e Kosovës i ka arrestuar dy të dyshuar, të cilëve iu gjetën mbi 2 kilogramë kokainë.
Njoftimi:
Policia e Kosovës, më saktë Njësia për Reagim të Shpejtë – Prishtinë me datën 21.10.2025 gjatë një pike të rregullt kontrolli në Prishtinë ka ndaluar një automjet me targa të huaja me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar dhe pasagjerin mashkull shtetas i huaj.
Njësia e lartcekur policore gjatë zbatimit të autorizimeve të saj, pasi ka kërkuar realizimin e një kontrolli rutinor, i dyshuar mashkull shtetas i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, mirëpo si rezultat i reagimit profesional policor i njëjti është ndaluar nga njësia policore.
I dyshuari gjatë tërë kohës ka rezistuar në mënyrë agresive duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe tek i njëjti gjatë arrestimit janë gjetur dy paketime të mbështjella të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë pesha e përgjithshme e së cilës arrin rreth 2270.6 gramë (2 kilogramë e 270.6 gramë).
Përveç substancës së dyshuar narkotike pas kontrollit tek të dyshuarit në vendngjarje janë gjetur edhe:
para të gatshme 12550 euro,
para të gatshme 1000 euro,
një telefon mobil.
Lidhur me rastin në vendngjarje ka dalë edhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë si dhe është njoftuar edhe prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është kryer kontroll edhe tek shtëpia e të dyshuarit shtetas kosovar mirëpo nuk është gjetur diçka e dyshuar.
Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.