Policia me komunikatë për veriun: Jemi të angazhuar në parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e qytetarëve
Policia e Kosovës ka reaguar edhe njëherë pas situatës së krijuar në veri të vendit dhe vazhdimit të qëndrimit të 9 barrikadave të cilat janë vendosur tash e 10 ditë.
Sipas një njoftimi të tyre të lëshuar në Facebook, thuhet se Policia e Kosovës po bashkëpunon ngusht me institucionet relevante të sigurisë, në ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues të Kosovës, mundësimit të lëvizjes së lirë dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.
“Policia e Kosovës vazhdon të jetë e mirëpritur nga qytetarët në nivel vendi, përfshirë edhe nga banorët në veri të vendit, të cilët bashkëpunojnë me njësitet policore, që ofrojnë siguri dhe shërbime policore për qytetarët pa dallime”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, nga Policia thonë se që nga vendosja e nëntë barrikadave nga "persona/grupe kriminale", situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim.
“Forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit mbesin ndër prioritetet e Policisë së Kosovës.Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e policisë.