Prokuroria Speciale në aksion për ekspozitën skandaloze: Policia bastisë banesën e Shkëlzen Gashit
Policia është duke bastisur shtëpinë e Shkëlzen Gashit. Kështu ka bërë të ditur, Rron Gjinovci. Ai ka shkruar se i njejti ende nuk është arrestuar, por që banesa po bastiset.

Banesa po bastiset me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet se ka shkaktuar "Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit"
As Kurti s’i del në ndihmë Gashit për gabimet në ekspozitë, veteranë të UÇK-së ia mësyejnë Kuvendin në protestë
Dënimet dhe reagimet ndaj ekspozitës për masakrat e luftës në Kosovë, me autor Shkëlzen Gashin, kanë vazhduar edhe gjatë ditës, me protesta të veteranëve të luftës dhe reagime institucionale dhe politike.
Pas kritikave për pasaktësi dhe keqpërfaqësim të së vërtetav historike, kryeministri Albin Kurti pranoi se ekspozita kishte mangësi dhe gabime që kërkojnë korrigjim.
Ai tha në konferencë për shtyp se disa masakra nuk janë përfshirë, ndërsa në raste të tjera “ka pasur gabime në tekst që duhet të përmirësohen”.
Megjithatë, Kurti mbrojti idenë e ekspozitës si projekt me rëndësi strategjike për shoqërinë kosovare.
“Një ekspozitë e saktë, e drejtë dhe e plotë… duhet të rikthehet sa më parë”, deklaroi ai.
Sipas tij, një version i rishikuar mund të prezantohet në qershor, në përvjetorin e çlirimit të Kosovës.
Kurti propozoi dhe inkurajoi kryetarë të komunave që ekspozita të shtrihet në të gjitha komunat, duke theksuar se krimet e luftës kanë prekur pothuajse çdo zonë.
Në të njëjtën linjë, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla e përdori rastin për të theksuar “rëndësinë e saktësisë institucionale”.
“Nëse asgjë, të paktën një gjë ka arritur… të na ndërgjegjësojë se sa të nevojshme janë shifrat zyrtare”, tha ajo.
Ajo paralajmëroi se “shifrat zyrtare nuk mund të jenë arbitrare apo të shpikura”.
Në anën tjetër, opozita ka ngritur akuza më të rënda, duke folur për manipulim të qëllimshëm.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, tha se procesi i miratimit të ekspozitës është deformuar qëllimisht.
“Këtu ka një manipulim të qëllimshëm”, deklaroi ajo, duke kërkuar hetim të veçantë.
Sipas saj, kërkesa e miratuar nuk përputhet me përmbajtjen që u ekspozua në shesh.
“Ajo që kemi miratuar ne, nuk reflekton me atë që kemi parë në shesh”, theksoi Çitaku.
Ajo shtoi se në dokumentacion nuk përmendej emri i autorit apo lidhja me librin e tij.
“Askund nuk është theksuar emri i Shkëlzen Gashit”, deklaroi ajo, duke e quajtur këtë një devijim serioz.
Reagimi institucional u shoqërua edhe me protestë përjashta nga organizatat e dala nga lufta.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizuan protestë para Kuvendit.
Me pankarta si “Mos luani me sakrificën tonë” dhe “Stop shtrembërimit të Historisë”, ata shprehën pakënaqësi të thellë.
Protesta eskaloi simbolikisht, kur protestuesit hodhën ngjyrë para dyerve të Kuvendit.
Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari, ngriti dyshime serioze për burimin e informacionit.
“Dyshimet tona janë se informacionet janë marrë nga shërbimet sekrete serbe”, deklaroi ai.
Ai paralajmëroi për përpjekje për të “barazuar luftën tonë me atë që ka bërë ushtria serbe”.
Ndërkohë, organet e drejtësisë kanë hyrë në skenë.
Prokuroria Speciale njoftoi se ekspozita do t’i nënshtrohet vlerësimit për elemente të mundshme penale.
Akuzat për shtrembërim të historisë dhe cenim të dinjitetit të viktimave kanë dominuar reagimet publike.
Rasti ka ekspozuar edhe tensionet brenda institucioneve mbi përgjegjësinë për financim dhe verifikim.
Devijimet dhe shtrembërimet e Gashit
Gashi ka paraqitur se mes viktimave kishte edhe “48 shqiptarë të armatosur”, një formulim që ka nxitur reagime të forta.
Fondi për të Drejtën Humanitare, ku Gashi u thirr t'i ketë marrë të dhënat, e ka kundërshtuar publikisht këtë pretendim, duke e cilësuar si të pasaktë dhe joprofesional.
Në reagimin e tyre thuhet se “kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare”.
Sipas fondit, viktimat në Dubravë ishin të burgosur nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, dhe jo luftëtarë aktivë.
Aktivistja serbe Natasha Kandiq ka shkuar më tej, duke vënë në dyshim kompetencën profesionale të autorit.
“Shkëlzen Gashi nuk kupton. Ai nuk e kupton dhe as nuk e ka dijen për të kuptuar atë çka ne kemi shënuar”, deklaroi ajo dje për Nacionalen.
Kandiq theksoi se statusi i viktimave ndryshon në momentin e arrestimit dhe mbrohet nga Konventat e Gjenevës.
“Ata janë vrarë si të burgosur, nga gardianë të armatosur”, shtoi ajo, duke kundërshtuar kategorikisht interpretimin e Gashit.
Ajo gjithashtu sqaroi se termi “ushtar” në listime nuk nënkupton automatikisht person të armatosur në momentin e vrasjes.
“Ushtar (i listuar) nuk do të thotë shqiptar i armatosur”, theksoi Kandiq, duke e cilësuar keqlexim të rëndë të të dhënave.