Polemikat mbi progresin ekonomik të Kosovës: Kurti nën akuzat e opozitës për manipulim të fakteve
Që nga ardhja në pushtet, relativizimi i fakteve rreth progresit ekonomik të Kosovës nga qeveria Kurti ka qenë i shpeshtë. Ndonëse vetëm dy vjet në krye të ekzekutivit, Kurti nxitoi të lavdërohet para audiencës së tij në Twitter me një pjesë të tekstit të konferencës për shtyp të Bordit të Drejtorëve Ekzekutiv të Grupit të Bankës Botërore. Kjo shkaktoi reagimin e menjëhershëm të partive opozitare, të cilët akuzuan kreun e Qeverisë për marrjen e kredive nga qeveritë e mëparshme dhe përdorim selektiv të fakteve.
Duke cituar një pjesë të konferencës për shtyp të Bankës Botërore, Kurti theksoi se Kosova ka përjetuar rritje të të ardhurave për kokë banori me rreth 50 për qind krahasuar dhe një zvogëlim të shkallës së varfërisë me 35 për qind krahasuar me 10 vite më parë.
"Vlerësime të larta për Kosovën nga Banka Botërore këtë javë. Sipas këtij institucioni, krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për frymë për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%, “duke tejkaluar vendet e ngjashme me të ardhura të ngjashme për frymë”, shkroi Kurti në Twitter.
High praise for Kosova from the @WorldBank this week. According to the institution, compared to 10 years ago Kosova has increased per capita income by 50% & lowered the poverty rate by 35%, "outperforming peer countries of similar per-capita income." https://t.co/sPkRslRlFw
— Albin Kurti (@albinkurti) May 14, 2023
"Mashtrim i opinionit publik"
Reagimet nga partitë opozitare nuk kanë vonuar. Avdullah Hoti, deputeti i LDK-së, tha se progresi ekonomik i Kosovës ka qenë i vazhdueshëm dhe se kjo po pranohet tashmë nga ata në pushtet. Ai po ashtu u ndal te kritikat e Vetëvendosjes ndaj qeverive të kaluara, duke e akuzuar qeverinë e Kurtit për marrje të meritave.
“Banka Botërore po thotë se: 'Kosova ka përjetuar progres të qëndrueshëm ekonomik gjatë dekadës së fundit, me një rritje prej afro 50 përqind të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35 përqind të shkallës së varfërisë'. Këtë të vërtetë tani po e pranojnë majtistët në pushtet”, ka shkruar Hoti.
Hoti gjithashtu nuk ka hezituar të përmendë kritikat që Vetëvendosje ka bërë më parë ndaj qeverive të kaluara lidhur me progresin ekonomik të vendit.
“Pra, pavarësisht sfidave, Kosova qenka zhvilluar nga 'regjimet e kaluara' e jo varfëruar, siç bëjnë propagandë mashtruesit. Mashtrimet e opinionit po marrin fund. E vërteta mbizotëron gjithmonë”, përfundoi ai.
Ndërsa koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij ndaj mangësive të Qeverisë aktuale në arritjen e përmirësimeve të kushteve të jetesës në vend.
Sipas Mustafës, mungesa e sukseseve të dukshme të Qeverisë aktuale ka shtuar nevojën e tyre për të përdorur propagandën si një mjet kryesor për të maskuar paaftësinë e tyre për të ndryshuar situatën në vend. Ai ka theksuar se propaganda është bërë instrumenti më i përdorur nga Qeveria për të përfituar mbështetjen e publikut.
Sipas tij, Kurti po mundohet të paraqesë këto si arritje të qeverisjes së tij, duke e përvetësuar suksesin e dy dekadave të kaluara. Ai e vlerëson këtë veprim si një tentativë për të maskuar dështimet e veta.
"Paaftësia për të arritur çfarëdo përmirësimi të kushteve të jetesës kur kanë kaluar dy vite qeverisje po shkakton panikë te Qeveria aktuale dhe po e rritë nevojën e mbështetjes në propagandë si instrumentin më të përdorur nga kjo Qeveri. Raporti i Bankës Botërore në mënyrë shumë të qartë thekson se “Kosova ka përjetuar progres të qëndrueshëm ekonomik gjatë dekadës së fundit, me një rritje prej afro 50 përqind të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35 përqind të shkallës së varfërisë.” Ndërsa, në mungesë të sukseseve të tij, Kryeministri po mundohet ta përvetësoj këtë arritje dhjetë vjeqare duke u perpjekur që ta paraqes si arritje të qeverisjes së tij. Varfëria nuk zvogëlohet me rritje të kostos së jetesës prej mbi 20 përqind, përderisa të hyrat për kategoritë më të ndjeshme sociale kanë mbetur të pandryshuara dhe politikat e punësimit bazohen vetëm në eksperimente të përkohshme populliste." - ka thënë ai.
Deputetja Hykmete Bajrami, gjithashtu, reagoi duke thënë se Banka Botërore fliste për zhvillimin që ka ndodhur para qeverisë së Kurtit. Ajo i bëri thirrje pushtetit të pranojë zhvillimin ekonomik të arritur nga qeveritë e kaluara dhe të mos deformojë fakte dhe raporte ndërkombëtare.
“Banka Botërore po thotë që Kosova ka bërë progres dekadën e fundit, nuk po thotë që Kosova ka bërë progres dy vitet e fundit. Andaj në vend që t'i deformoni deklaratat dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare si këtë të Bankës Botërore, është mirë të pranoni që megjithatë qeveritë e kaluara e kanë zhvilluar këtë vend. Që dy vite është radha juaj dhe eksperimentet e juaja veç progres s'po i sjellin vendit. Se sa zhvillim po bën qeveria mjafton të shihni raportet e vetë Qeverisë. Raporti financiar i tremujorit të parë të këtij viti thotë se qeveria ka shpenzuar mbi 207 milionë euro për subvencione dhe vetëm 40 milionë euro për investime kapitale.Politikat e lëmoshës nuk na shpien gjenkundi, andaj lerëni propagandën e nisjani punës!” – shkroi Bajrami.