“Po i shërben Prokurorisë në Hagë”; “Smithi flet kështu”: PDK-ja i dënon ashpër sulmet e Kurtit ndaj Thaçit dhe Veselit - NACIONALE

“Po i shërben Prokurorisë në Hagë”; “Smithi flet kështu”: PDK-ja i dënon ashpër sulmet e Kurtit ndaj Thaçit dhe Veselit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët e lartë të PDK-së i kanë dënuar ashpër pretendimet e deputetit Albin Kurti se zyrtarët e kësaj partie vizitat e tyre në Hagë te Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i bëjnë për të marrë “instruksione”.

Ata kanë bërë me dije se deklarimet e tilla janë të pabaza dhe i shërbejnë vetëm Prokurorisë së Gjykatës Speciale. Sipas tyre, pretendimet e Kurtit janë gjera që i ka thënë ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dje se Kurti këto deklarime i bënë në mënyrë të qëllimshme.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo është vazhdimësi i fushatës së Kurtit kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Albin Kurti, me vetëdije të plotë, ka vendosur sërish t’i shërbejë Prokurorisë në Hagë, kësaj radhe duke sulmuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Madje, ka pasur guximin të thotë se ne i vizitojmë për të marrë “instruksione”. Kjo nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër dhe vazhdimësi e një fushate të kahmotshme që Kurti e ka ndërtuar mbi përbaltjen e të tjerëve, sidomos të atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj, Kurti nuk e kupton miqësinë.

“Një njeri që nuk e ka as edhe një mik të vetëm, nuk mund ta kuptojë se njerëzit mund të kenë marrëdhënie miqësore, njerëzore, jo vetëm kontrata dhe urdhra. Instruksione, Albin, jep ti, në partinë tënde që nuk e udhëheq, por e sundon. Në Vetëvendosje nuk ka as debat, as mendim ndryshe, vetëm një zë: tëndin. Në PDK është ndryshe. Ka diskutim. Ka mendim kritik. Ka demokraci. E kuptoj që kjo mendësi është e huaj për ty, sepse ti ke ndërtuar një model autoritar, ku çdo mendim tjetër është ‘armik’”, ka shkruar ajo.

Edhe më i ashpër ka qenë deputeti Artan Behrami.

Në emisionin “Pressing”, ai ka thënë se Kurti po përdor argumentet e ish-kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith, të cilat kanë penguar mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

“Ky është interpretim i Jack Smith. Merri krejt argument e Gjykatës Speciale, të prokurorisë, të Jack Smithit, argumenti kryesor është që Hashim Thaçi, Kadri Veseli kanë ndikim brenda politikes, brenda policisë. Prandaj, ata nuk duhet të lejohen që të mbrohen në liri. Pra, po shihet që ky këtë argument gjatë gjithë kohës e ka përdorur edhe në takime diplomatike, edhe në takime me Gjykatën Speciale, edhe në takime me shtetet financuese. Po del se ky ia ka krijuar këtë përshtypje Gjykatës Speciale”, ka thënë Behrami.

Edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra i ka reaguar Kurtit.

Ajo ka vlerësuar se Kurti është ndërtuar si anti-UÇK.

“Një bashkëpunim me PDK-në do ta rrëzonte tërësisht mitin e rremë mbi të cilin ka ngritur karrierën e tij, një rrëfim i ndërtuar mbi baltosjen e çlirimtarëve dhe mohimin e sakrificës për liri. Kurti nuk mund të rrijë pranë PDK-së sepse nuk i duron vlerat që ne përfaqësojmë: lirinë, dinjitetin dhe shtetin. Ai është ndërtuar si anti-UÇK, si anti-shtet, dhe si anti-Kosovë”, ka shkruar ajo.

Çka tha Kurti?

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, gjatë intervistës së mbrëmshme në “Tëvë1” është marrë shumë edhe PDK-në.

Vazhdimisht ai këtë partie e sulmonte, duke thënë se nuk është reformuar.

Sipas tij, ky subjekt i ka “4-5 kryetarë”, dy prej tyre në Hagë.

Madje, Kurti foli edhe për vizitat e zyrtarëve partiakë te Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që sipas tij, bëhen për të marrë instruksione politike.

“PDK nuk është e reformuar. Në Partinë Demokratike të Kosovës ekzistojnë 4 ose 5 kryetarë. Po flasim për PDK-në, se u mora pak me LDK-në, tash po kaloj pak te PDK-ja, për qejfin e juve. Ta vazhdoj mendimin. Filli i mendimit kur pritet nuk është më njësoj. Pra, ku mbeta, PDK që i ka 4-5 kryetarë, s’e di a i ka 4 a 5, por jam i sigurtë që s’i ka 3, as 2, as 1. PDK, e di prej përvojes, nuk është parti është shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vësh pse ke folë me një person, prandaj Enver Hoxhaj folë krejt diçka tjetër, çka tha Ramiz Lladrovci për Sami Lushtakun, prindin e një deputeti, pra a e kuptoni, edhe janë dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”, ka thënë Kurti.

Deputeti i Vetëvendosjes pretendoi se “elemente të PDK-së” gjenden edhe në prokurori, gjyqësor e media.

“Po them që s’është reformë, s’po them që kanë deshtu, se s’jam i sigurtë që kanë tentu. PDK është sinonim i kapjes së shtetit. Elementet e PDK-së i gjeni në prokurori, në gjyqësor, edhe në institucione të tjera, por edhe në media. Pra bëhet fjalë për shumë njerëz të papunë që kanë mbet të PDK-së. Prandaj, me një PDK të tillë, nuk mund të bëhet shterti demoktaitk, ekonomik, duke pasë PDK-në në opozitë kemi arritë këtë sukses, ku Kosova për antikorrupsion është kampione në Ballkan. Mos ta harrojmë një gjë, e keni pa çka po bëjnë PDK bashkë me LDK-në dhe jo vetëm, kundër Albulena Haxhiu”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme