“Plot karizëm”: Disa muaj pasi u lavdërua prej tij, Kurti takohet me Petrovcin dhe e çmon - NACIONALE

“Plot karizëm”: Disa muaj pasi u lavdërua prej tij, Kurti takohet me Petrovcin dhe e çmon

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është takuar me aktorin veteran, Enver Petrovci, veprën e të cilit e vlerësoi lart. Vlerësim pozitiv kishte edhe Petrovci për Kurtin para disa muajve.

“Gjallëria dhe kthjelltësia e Enver Petrovcit përcëllon pozitivisht dhe frymon një lloj të lirisë së shprehjes plot karizëm të pasforcuar dhe humor të mençur. Dje pata kënaqësinë të vizitoj aktorin e mirënjohur, pas një qëndrimi të tij në spitalet e Prishtinës dhe Stambollit për shërim. Më priti së bashku me bashkëshorten e tij, Profesoreshën e njohur të Pianos, Valbona Pula Petrovci, si dhe me fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre. Diskutuam gjerë e gjatë për tetarin e filmin te ne, kontributin dhe sukseset e tij ndër vite, si dhe sfidat që ka hasur përgjatë karrierës së tij të pasur” – shkroi Kurti në llogarinë e tij në “Instagram”.

Kryeministri nuk e la më kaq. Ai shkroi disa fjalë edhe për biografinë e Petrovcit, duke treguar se kur dhe ku është lindur, çfarë profesionesh ka dhe në cilat role ka luajtur.

“Enver Petrovci, i lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, është aktor, shkrimtar dhe regjisor shqiptar. Ai ka interpretuar role të mëdha si Hamlet, Macbeth dhe Julius Cesar duke u bërë një ikonë në kulturën tonë. Enveri është gjithashtu themelues i Teatrit Dodona, Akademisë së Arteve, profesor shumëvjeçar i aktrimit në Fakultetin e Arteve dhe themelues i Teatrit të Babës në Prishtinë. I uroj Enverit dhe familjes së tij shëndet të mirë dhe vazhdimësi në sukseset artistike” – shtoi Kurti.

Lëvdatat mes politikanit dhe aktorit nuk janë me një kahje. Ato nuk i kishte kursyer fare as Petrovci për Kurtin para më pak se një viti.

Në tetor të vitit të kaluar, në televizionin T7, Petrovci kishte thënë: “Për herë të parë e pashë një politikan që kishte qëndrim politik. A e din kush se ka mbështet? Ata që s’kanë guxu mos me e mbështet. Të gjithë mendojnë si ai [Kurti], por kurrë s’kanë pas forcë me bo atë që ka bo ai. [Opozita] absolutisht mendon si ai, këta s’kanë ambicie. Ky është shumë, shumë larg prej tjerëve, edhe presidentja, na e ka çu Zoti. Mos të kërkojnë këta me dalë në zgjedhje se krejt kanë me u zhduk. Shumë shpejt do të jetë Kosova me dy parti e gjysmë. Edhe populli është bërë më i mençur politikisht.”

Lajme të ngjashme