Plani për veriun, ‘selami’ ndaj Ramës e kritikat për Prokurorinë – Krejt çka tha Kurti në konferencë - NACIONALE

Plani për veriun, ‘selami’ ndaj Ramës e kritikat për Prokurorinë – Krejt çka tha Kurti në konferencë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë para gazetarëve në një konferencë për media. Ndër të rrallat që nga tensionimi i situatës në veri.

Në këtë konferencë, Kurti ka prezantuar planin e tij që ua ka prezantuar ndërkombëtarëve për qetësi në veri, ka dërguar një mesazh për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ka kritikuar Prokurorinë e Kosovës.

Në takimin e sotëm me ambasadorët, Kurti tha se ua ka prezantuar një plan me disa pika për vendosjen e qetësisë në katër komunat veriore. Të njëjtin plan, Kurti ia ka bërë të ditur edhe përfaqësuesit të BE-së, Joseph Borrell.

Hapat e Kurtit për qetësi

Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.

Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.

No description available.

Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.

Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.

Kurti ka thënë se për këtë propozim nuk ka marrë ende përgjigje.

Kurti dhe ‘selami’ i tij për Edi Ramën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur rreth draftit të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Këtij të fundit, Kurti i ka propozuar që draftin t’ia ofrojë presidentit serb për shqiptarët në Luginë, e jo për serbët e Kosovës.

“Nuk kam dyshim që Rama që beson se propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë krejt që unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë propozim t’ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc. Pra, pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është model i mirë, pra do të duhej t’ia bënte si propozim Vuçiqit për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, tha Kurti, raporton Nacionale.

No description available.

“Propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama që modeli i tij është i mirë, në vend se të propozohet për serbët në Kosovë, t’ia propozojë Beogradit në Serbi”, tha Albin Kurti.

Kjo deklaratë e Kurtit, vjen një ditë para mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës e Shqipërisë.

Kritikat e Kurtit për Prokurorinë

Kurti është marrë edhe një herë tjetër me Prokurorinë e Kosovës. Këta të fundit, tash i ka kritikuar se nuk po ndërmarrin veprime për situatën e tensionuar në veri dhe sulmet nga grupet kriminale.

Kurti ka thënë se ka fotografi e video që dëshmojnë se cilët persona janë përfshirë.

“Nuk e kuptoj Prokurorinë tonë të shtetit, nuk e kuptoj si është e mundur që përkundër qindra fotografive e video-xhirimeve, denoncimeve me emër e mbiemër të atyre personave, nuk ka veprime nga Prokuroria. Është përsëritje e situatës së dhjetorit të kaluar, ku për 3 javë barrikada, asnjë aktakuzë. Tash më 26 dhe më 29 maj nuk shohim veprime të Prokurorisë. Andaj për mua mbetet e pakuptimtë si është e mundshme të ketë këso lloj pasivitetit të prokurorisë së shtetit ndaj këtyre krimeve. Një numër i konsiderueshëm i këtyre ekstremistëve të dhunshëm, edhe kanë qenë në burg më herët. Njësitet Speciale janë aty për shkak të ekstremistëve të dhunshëm e grupeve kriminale. Në mënyrë graduale në përputhje me vlerësimet e sigurisë, do të mund të zvogëlonim atë prani. Hapi i parë sundimi ligjit”, tha Kurti.

Ditë më parë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë për Nacionalen se i kanë nisur hetimet për sulmet në veri.

Ku jetojnë bashkëshortja dhe vajza e Kurtit?

Kryeministri i vendit në konferencë është pyetur edhe se ku jetojnë bashkëshortja dhe vajza e tij. Ai ka thënë se herë jetojnë në Oslo e herë në Prishtinë.

Kjo pyetje i erdhi Kurtit pas pjesëmarrjes në një tryezë me emrin “Gratë dhe paqja”.

“Gruaja ime dhe vajza ime jetojnë edhe në Prishtinë edhe në Oslo, jetojnë në dy vendet. Edhe kur janë ato këtu, edhe kur nuk janë, unë jam paqësor.” – tha ai.

Kurti në këtë konferencë e ka pranuar se Kosova po përballet me sanksione nga ndërkombëtarët, por të njëjtat i ka vlerësuar si jo të drejta.

Lajme të ngjashme