Plani i Rritjes: BE i lëshon 61.8 milionë eurot e para për Kosovën
Bashkimi Evropian ka nisur transferimin e 61.8 milionë eurove për Kosovën si parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes, ka njoftuar Zyra e BE-së në Kosovë.
Ky fond përbën 7 për qind të paketës prej 882.6 milionë eurosh, të parashikuar deri në vitin 2027.
Nga shuma totale, 28.74 milionë euro janë transferuar në buxhetin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër përmes WBIF.
Fondet synojnë mbështetjen e Agjendës së Reformave dhe projekteve infrastrukturore strategjike.
Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash në fusha kyçe si sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
Pagesat do të kushtëzohen nga përmbushja e këtyre reformave brenda afateve të përcaktuara.