Plani franko-gjerman: Parashikimi 'i frikshëm' i Hotit për Kurtin që doli krejt i saktë - NACIONALE

Plani franko-gjerman: Parashikimi 'i frikshëm' i Hotit për Kurtin që doli krejt i saktë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme bëri disa pretendime të çuditshme edhe në lidhje me fokusin e dialogut me Serbinë. Por, cila është e vërteta e këtyre pretendimeve nën dritën e një parashikimi dërmues të bërë nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Kurti në Kuvendin e Kosovës foli në lidhje me “qasjen strategjike përballë Dialogut me Serbinë”. Ai aty listoi edhe dy prej atyre që i quajti si “qëllime fillestare”.

E para ishte që të respektoheshin marrëveshjet ekzistuese. E dyta, ishte që të hapeshin bisedimet për kornizën e përgjithshme.

Sipas kryeministrit të vendit, si rezultat i kësaj qasjeje, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrel “për herë të parë në më shumë se 12 vjet dialog” kishte pranuar ta bënte “hapin e madh” më 18 gusht.

“Për herë të parë u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë...” – tha kryeministri i vendit.

Pra, a po thotë Kurti që ai është në fakt ‘babai’ i planit franko-gjerman? Ose të paktën, njeriu që nxiti ardhjen e planit franko-gjerman?

“(takimi i 18 gushtit)... e dha efektin e tij të menjëhershëm.” – tha më tej kryeministri, duke iu përgjigjur pyetjes që shtrohej vetiu. “E kjo është, vizita e emisarëve me datë 9 shtator 2022, apo prezantimi i propozimit franko-gjerman.”

Çka na thotë kjo?

Në fakt, rrjedha logjike është krejtësisht e qartë. Kurti ka bërë presion të madh që të punohej mbi një kornizë të përgjithshme, çka rezultoi në takimin e 18 gushtit në Bruksel e më pas edhe në planin franko-gjerman.

Problemi? Faktet.

Këto pretendime të Kurtit ndeshen me fakte të forta, shumë të forta. Megjithëse është e vërtetë që në takimin e 18 gushtit ishin dy pika, prej të cilave “Korniza e përgjithshme e marrëveshjes” dhe dy “Çështjet aktuale”. Por, Kurti shpërfill krejtësisht këto çështje aktuale.

Por, takimi i 18 gushtit megjithatë vinte pas tensioneve të 31 korrikut dhe çështjet kryesore të tematizuara ishin pikërisht ato të targave ilegale dhe të dokumenteve të udhëtimit.

Pikërisht ky takim do të çonte në marrëveshjen gojore për letërnjoftimet, ku Kurti do të hiqte lejonte që të futeshin në Kosovë edhe serbët me letërnjoftime ilegale.

Më pas, siç edhe e dimë, do të ndodhnin përplasjet në lidhje me targat ilegale. Kurti madje do të përballej me trysni të madhe ndërkombëtare në atë kohë, në mënyrë që të hiqte dorë nga çështja në fjalë.

Në mënyrë arbitrare dhe pa dhënë asnjë provë, Kurti pretendoi se e kishte ndërprerë praktikën e dialogut ku diskutohej për “çdo çështje potencialisht kontestuese”. Por, në fakt ai kritikohej ashpër për zhvendosje të fokusit të dialogut nga tema kryesore, që ishte korniza e përgjithshme me njohjen reciproke brenda.

Parashikimi i Hotit

Por, LDK-ja në veçanti (megjithëse jo e vetmja) qysh nga nisja e procesit të dialogut nga Kurti kishte nisur përpjekjen që fokusi të mos ndryshonte duke parë hapat e tij.

Me shkronja të mëdha, Avdullah Hoti “piskaste” në Facebook si vijon: “TË MBAHET FOKUSI TE MARRËVESHJA FINALE PËR NJOHJE RECIPROKE, E JO TË RRËSHQITET NË DIALOG TEKNIK”.

Hoti argumentonte se Qeveria Kurti në fakt po e kthente prapa dialogun në teknik duke u marrë me çështje të cilat nuk kishin rëndësi vitale për Kosovën.

“Me këtë qasje të qeverisë aktuale po zhvendoset fokusi i dialogut nga “marrëveshja finale për njohje reciproke” në dialog për “çështje teknike”. Ky lloj dialogu, jo vetëm që e prolongon arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke, por krijon pritje të tjera tek partnerët ndërkombëtarë sa i përket pozicionit të Kosovës për natyrën e marrëveshjes finale.” – thoshte z. Hoti më 21 tetor 2021, duke e parashikuar në mënyrë të pasaktë atë që do të ndodhte më vonë.

Mirëpo, pse Kurti insiston që fokusi i tij ishte korniza e përgjithshme kur e dimë që në dialog ka diskutuar edhe për targat ilegale por edhe për të tjera tema që s'kishin të bënin me njohjen e Kosovës? Fatkeqësisht, asnjë nga deputetët nuk e përmendën një gjë të tillë në debatin e djeshëm parlamentar.

Lajme të ngjashme