Plagosen dy persona në Rahovec, të dyshuarit i dorëzohen policisë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Rahovecit sot pasdite, ku dy persona janë plagosur në rrugën 'Fahri Fazliu'.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur për Sinjalin se rreth orës 16:40, u raportua për një sulm me armë zjarri në këtë zonë. Si pasojë, dy persona kanë mbetur të plagosur.
Dy të plagosurit, të dy meshkuj të moshës madhore, u dërguan menjëherë në Spitalin Rajonal 'Isa Grezda' për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 16:40, është raportuar se dy persona në rrugën “Fahri Fazliu” në Rahovec ishin qëlluar me armë. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe nga informacionet e para të marra është konfirmuar se dy persona, meshkuj të moshës madhore janë dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë të plagosur nga amë zjarri. Në ndërkohë në Stacionin Policor në Rahovec janë dorëzuar dy persona meshkuj të moshës madhore e që dyshohet se janë të përfshirë në rast. Lidhur me rastin është organizuar operacion bastisje ku janë konfiskuar gjashtë armë të ndryshme dhe municion. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast”, deklaroi Elezaj.