Pjesëmarrja e kosovarëve në protestat kundër Qeverisë Rama: A ka gisht Albin Kurti?
Protestat kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ditët e fundit janë “përforcuar” me shumë shqiptarë të Kosovës, të cilët janë mbështetës të partisë në pushtet. Madje, në këtë protestë, e cila ka filluar kundër projektit turistik në Zvërnec, janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të VV-së.
Në mënyrë publike, ata kanë bërë thirrje që shqiptarët e Kosovës të i bashkohen protestave që kanë filluar më shumë se dy javë.
Përveç “Grupit të Tiranës”, që janë njerëzit kryesor të VV-së, pro protestës kanë dalë edhe Agim Bahtiri dhe zyrtarë tjerë të lartë të partisë në pushtet.
Kjo ka bërë që të forcohen dyshimet se ata po dërgohem në Tiranë me “urdhër” të Albin Kurtit.
Megjithatë, dje kryeministri Edi Rama, ka mohuar se ata po marrin pjesë në këtë protestë me “leje” të lideri të VV-së.
Derisa ka kritikuar shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare që po marrin pjesë në këtë protestë, kryeministri shqiptar ka kërkuar që askush statusin e tij të mos e lidh me kryeministrin në detyrë të Kosovës.
“Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, ka shkruar ai.
Megjithatë, njohësit e rrethanave politike në Kosovë dhe Shqipëri kanë bërë me dije se Kurti edhe mund të këtë gisht në dërgimin e tyre në protestë.
Gazetari shqiptar Mero Baze nuk është pajtuar me Ramën për këtë çështje.
Në një shkrim autorial, ai ka bërë me dije se askush nuk duhet të ia humb meritat Kurtit për pjesëmarrjen e kosovarëve në këtë protestë.
“Ky debat rreth qytetarëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë që vijnë në protestë është shumë hipokrit. Përpjekja e Edi Ramës për t’i distancuar ata nga Albin Kurti dhe nga diaspora është e pakuptimtë dhe e panevojshme, madje dhe e padrejtë, pasi i mohon Albin Kurtit punën më të rëndësishme me të cilën merret prej vitesh, qyshkurse është bërë kryeministër në detyrë i Kosovës”, ka shkruar Baze.
Ai është shprehur i bindur se kosovaret që po marrin pjesë në këto protesta janë të organizuar nga Kurti.
“Tani mos ia hiqni meritat që me zor i ka arritur, se ai vetë nuk i fsheh. Ai ia ka dalë në Maqedoni të ketë çetën e vet të shqiptarëve, në Preshevë po ashtu, në Mal të Zi i ka bërë nja pesë parti shqiptarë, nga një për katund, dhe në Shqipëri ka dërguar gjithë kabinetin e tij në krye të protestës. Vetëm ajo Mihali ka mbetur pa ardhur, ngaqë ajo nuk lëviz pa shefin e vet. Nuk ka asnjë dilemë që shqiptarët e Kosovës që vijnë të protestojnë këtu bashkë me qytetarët e Shqipërisë janë jo vetëm të frymëzuar nga Albin Kurti, por dhe të organizuar prej tij”, ka shkruar ai.
Edhe drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar pjesëmarrjen e kosovarëve në këtë protestë.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se nuk iu takon shqiptarëve të Kosovës të përzien në punët e brendshme të Shqipërisë.
“Shqipëri nuk ka lufte, ka protesta. Protesta kunder nje qeverie dhe veprimeve te saj ne raport me ekonomine, ambientin, investimet nderkombetare dhe keqqeverisjen. Jane protesta qe kerkojne doreheqjen e kryeministrit. Kushdo, perfshire ne shqiptaret nga Kosova, Maqedonia dhe nga e gjithe bota, kemi te drejte t’i komentojme keto zhvillime dhe te kemi qendrimet tona per to. Por nuk na takon neve, as kujtdo tjeter qe nuk eshte shtetas i Shqiperise, te organizohemi apo te marrim pjese ne protesta qe lidhen me politiken e brendshme te Shqiperise”, ka shkruar ai, duke i ftuar qytetarëte e Kosovës të merren me cështje që kanë të bëjën me Kosovën.
“Liria e shprehjes dhe perfshirja ne betejat e brendshme politike te nje shteti tjeter jane dy gjera te ndryshme. Sikur te kishim me shume angazhim qytetar, mendim kritik dhe pjesemarrje qytetare ne proceset publike ne vendet ku jetojme, me siguri do te kishim qeverisje me te mire dhe jete me te mire.”, ka shkruar ai.