Pjesa e parë e Kuvendit: Opozita akuzon Qeverinë Kurti për dështim në sektorin e shëndetësisë në vend
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur senacë të jashtëzakonshme për gjendjen në sektorin e shëndetësisë dhe për sigurimet shëndetësore. Deputetët opozitarë kanë kundërshtuar ashpër Qeverinë Kurti për gjendjen në shëndetësi duke e fajësuar për mungesën e sigurimeve shëndetësore. Nga ana tjetër, pushteti është mbrojtur nga këto akuza.
Deputetët e partive opozitare kritkuan punë e qeverisë në raport gjendjen në sektorin e shëndetëisë dhe sigurimet shëndetësore, ku do të prezantohet edhe një rezolutë të cilën mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që në këtë debat do të duhej që prezent të ishte edhe kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se Qeveria nuk ka dhënë llogari për skandale në shëndetësi.
“Në këtë debat do duhej të ishte prezent kryeministri Kurti, i cili themeloi komitetin ekzekutiv për shëndetësi sepse deklaronte se është pak me e udhëheq këtë punë veç një ministër.”
“Investimi i fundit parashihet 3.2 milionë euro në vitin 2025. Nëse ju keni planifikuar që zhvillimin e SISh-it me e përfundu në vitin 2025, atëherë mbledhja e premiumeve do të zgjasë edhe 2 vite dhe sigurimet shëndetësore qytetarët më këtë punë të kësaj qeverie nuk munden me i prit para vitit 2030. “S’ka llogari as kur pacientja – gruaja shtatzënë vritet para gjinekologjisë, as kur gjymtohet trupi i foshnjës së vdekur në lavatriqen e Spitalit të Pejës, e as kur digjet pacienti në Klinikën e Psikiatrisë” – ka thënë ai.
Nga ana tjetër deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se shëndetësia është sektori më i nëpërkëmbur i Qeverisë Kurti.
“3 vjetori i ardhjes në pushtet i kësaj partie politike, e gjen shëndetësinë tmerrësisht keq, më keq se asnjëherë më parë. Kjo qeveri, më saktësisht shëndetësia në krye me ministrin Vitia janë të paaftë, të paditur dhe dështuesit më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Në karrieren time politike kurrë skam parë, dëgjuar e as lexuar se një Qeveri mund ta shpenzojë 75% të kohës qeverisëse pa lëne asnjë shenjë pozitive, sikurse kjo Qeveri.” – ka thënë ai.
“Shëndetësia është e mjeruar me ju, jetesa e qytetarëve edhe më shumë. Por, ndëshkimi është dhurata më e mirë për dështakët.” – ka thënë ndër të tjera ai.
Gjithashtu edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se Kosova është i vetmi vend që nuk ka sigurime shëndetësore.
“Kosova është vendi i vetëm në rajon e Evropë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore, me sa e di unë vetëm Somalia është në një situatë të ngjashme.” – ka thënë ai.
Nga na tjetër, ministri i Shëndetëisë, Arben Vitia i është përgjigjuar akuzave të deputetëve të opozitës.
Ai ka thënë se ky sektor është dëmtuar dhe keqpërdorur rëndë nga qeveritë e kaluara.
Në adresimin e tij, ai ka përmendur disa kompjuter të mbështjellë me këse nëpër institucione shëndetësore, të cilët nuk janë shfrytëzuar kurrë. Ai ka bërë me dije se tani kanë filluar të ndryshojnë gjerat në këtë sektor.
“Tash çka po ndodh është e kundërta e asaj që gjetëm. Për herë të parë, në mënyrë serioze me një analizë të thuktë është bërë studimi i fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësorë.” – ka thënë ai.
Më tej, Vitia është zotuar se Projektligji për sigurime shëndetësore do të miratohet se shpejti.
“Projektligji për sigurimet shëndetësore tashmë është në konsultime paraprake. Në 15 ditë të konsultimeve publike, deputetë të nderuar ju ftoj që të jepni të gjithë kontributin e juaj pa dallim. Ky ligj, fillimisht hap rrugë për njërin prej aktiviteteve më të rëndësishme siç është ai i kontraktimit të barnatoreve dhe krijimin e skemës për barnat jashtë spitalore.” – ka thënë Vitia.
Aktualisht Kuvendi ka shkuar në pauzë dhe pritet që të rikthehet me punimet e seancës nga ora 15:30.