Pezulluan Dialogun Strategjik, e thirrën në telefon Rexhepin: A e mbrojti Amerika Kushtetuesen nga Albin Kurti? - NACIONALE

Pezulluan Dialogun Strategjik, e thirrën në telefon Rexhepin: A e mbrojti Amerika Kushtetuesen nga Albin Kurti?

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Sulmet e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kundër Gjykatës Kushtetuese duket se nuk u duruan nga ShBA-ja. Pa kaluar një javë nga kritikat e ashpra të Kurtir në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së ndaj gardianit të Kushtetutës së Kosovës, pasuan “sanksionet” amerikane. Të premten e kaluar, Ambasada e SHAB-së në Prishtinë njoftoi për pezullimin e përkohshme të Dialogut Strategjik.

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dje bëri me dije se sulmet e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese ishin shkaktari kryesor që çuan në pezullimin e këtij dialogut.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë", diplomati amerikan ka thënë ShBA-ja ka përshtypjen se kryeministri në detyrë nuk po i dëgjon.

Qartazi, nuk flas në emër të administratës Trump, ndaj është e vështirë t’i shpjegoj saktësisht motivet dhe vendimet e saj. Do t'ju jap vlerësimin tim, i cili mund të jetë i gabuar. Nuk besoj se kishte një akt të vetëm që çoi në këtë vendim. Mendoj, gjithashtu, se ishte një grumbullim i frustrimeve, ose, për të përdorur një shprehje amerikane, ishte pika që e mbushi kupën”, ka thënë ai, duke treguar se cili veprim i Kurtit ndikoi në këtë vendim.

Mendoj se akti i fundit që çoi në këtë vendim - ai që bëri që njerëzit në Uashington të vendosnin se duhej të ndërmerrnin veprime - ishin deklaratat e kryeministrit dhe të tjerëve në Qeverinë e tij që kritikuan drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese, një institucion i pavarur, i themelur me Kushtetutë, në hartimin e së cilës ka kontribuuar edhe SHBA-ja. Nga këndvështrimi i çdo vëzhguesi, kjo dukej e papajtueshme me parimet e një demokracie të mirë, me mbrojtjen e pavarësisë së gjykatave dhe me respektimin e aftësisë së gjykatës për të marrë vendime”, ka thënë ai.

Hovenier ka treguar se zyrtarët e lartë amerikan edhe më herët ia kishin tërhequr vërejtën Kurtit.

Mendoj se kjo, ndoshta, ishte shkaku kryesor. Por, nuk ishte vetëm reagim ndaj kësaj. Ishte reagim pas një serie përpjekjesh nga zyrtarët amerikanë në këtë administratë, përfshirë një vizitë së fundmi të zyrtarit të lartë të Zyrës për Çështjet Evropiane, Brendan Hanrahan, në Prishtinë, ku ai u takua me presidenten [Vjosa] Osmani dhe kryeministrin [në detyrë] Kurti, për të diskutuar se si të përmirësohet marrëdhënia. Nuk isha aty, por mendoj se diskutimi lidhej me bashkëpunimin më të ngushtë me SHBA-në, për mënyrën se si Kosova do të trajtonte çështjet komplekse të mbështetjes për komunitetin serb dhe komunitetet tjera joshumicë. Qeveria amerikane ka përshtypjen se Qeveria e kryeministrit në detyrë, Kurti, nuk po e dëgjon”, ka thënë diplomati amerikan.

Dje po ashtu u dha edhe një sinjal se ShBA-ja qëndron fuqishëm në mbrojtje të Kushtetueses.

Si rrallë herë, të mërkurën u njoftuar se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Fleming.

Përmes një njoftimi për media të gjykatës është treguar se për çka është diskutuar gjatë kësaj bisede.

Sipas njoftimit, Rexhepi dhe Flemin kanë biseduar për ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Biseda u fokusua në punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe rolin e saj në ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend. Kryetari Rexhepi e falënderoi z. Fleming për telefonatën dhe shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme