Petkoviq pas miratimit të Deklaratës për të Zhdukurit: Kemi mbrojtur interesat e shtetit të Serbisë
Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, ka njoftuar për miratimin e tekstit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, duke thënë se është konfirmim që janë mbrojtur interesat e Serbisë.
“Para miratimit të tekstit të deklaratës, ishte bashkangjitur një deklaratë me shkrim e nënshkruar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, e cila sqaronte gjëra të rëndësishme me termin e përmendur në deklaratën për personat e pagjetur. Kjo deklaratë konfirmon se ne kemi mbrojtur interesat e shtetit të Serbisë kur është fjala për këtë çështje,”- ka thënë Petkoviq, raporton Kosovo Online.
Tutje ai ka folur për termin “të zhdukur me dhunë”, duke shtuar se delegacioni serb nuk është pajtuar me emërimin.
"Ne ramë dakord për atë që ka insistuar pala serbe dhe ajo që ka hyrë në tekstin e deklaratës është termi "i zhdukur me forcë”, tregon rrethanat në të cilat është zhdukur një person,"- ka thënë Petkoviq duke shtuar se 1621 persona janë të zhdukur, nga të cilët 568 janë të kombësisë serbe.
Ai më tej ka thënë se Beogradi i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Prishtinës dhe se janë gërmuar 23 lokacione në Serbinë qendrore, por se Prishtina është ajo që nuk po i përmbush kërkesat e Beogradit.
“Prandaj është e rëndësishme që të kemi një deklaratë edhe aty ku Prishtina ka frenuar, për të filluar procesin dhe që familjarët e të zhdukurve para së gjithash të marrin trupat e të zhdukurve dhe të dihet e vërteta e plotë. Edhe një herë, për të shmangur keqinterpretimet, ky nuk është një dokument i miratuar, i cili përmend termin që përfshin përgjegjësinë e Beogradit dhe Serbisë, ne e hodhëm poshtë atë dhe, duke u konsultuar me ekspertët më të mëdhenj juridikë nga e drejta ndërkombëtare, dolëm në një term që është i pranueshëm për ne, i cili përshkruan kushtet në të cilat një person i caktuar është zhdukur,”- ka thënë Petkoviq.
