Petkoviq i reagon Kurtit për draft-statutin: Le të bëjë postime, puna serioze tek ekspertët
Drejtori i së ashtuqujturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, ka komentuar deklaratën e Kurtit se ai ka qenë i gatshëm për hartimin e draft-statutit për Asociacionin, por se nuk i është lejuar një gjë e tillë.
Sipas Kosovo Online, Petkoviq ka thënë se Kurti nuk e ka idenë e dialogut dhe marrëveshjeve të arritura.
“Albin Kurti na tregon dita ditës fytyrën e tij autokratike dhe tani e ka pranuar publikisht para të gjithëve se nuk e ka idenë për dialogun dhe marrëveshjet e arritura,”- ka thënë Petkoviq.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se nëse Kurti për 10 vite, s’ka arritur të mësojë se draft-statutin e Asociacionit e shkruan ekipi menaxhues, ai edhe për 10 vite s’do të arrinte të mësonte asgjë.
Tutje Petkoviq ka thënë se Kurti duhet të vazhdojë me postime në rrjete sociale, kurse punën serioze t’ua lë ekspertëve.
“Megjithatë, Kurti le t’i përmbahet postimeve në rrjetet sociale, kjo është fushëveprimi i tij, dhe puna serioze është tek ekspertët e ekipit menaxhues, të cilët duhet t’i paraqesin rezultatet e punës së tyre në përputhje me marrëveshjet në një dialog të nivelit të lartë,” – ka përfunduar Petkoviq.