Peticioni: Sot pritet të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Atiqit
Mbledhja e nënshkrimeve në kuadër të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, pritet të nisë sot në orën 09:00. Atiq ishte bërë kryetar i kësaj komune në muajin maj. Që nga atëherë serbët lokalë kishin kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë që ishin zgjedhur në komunat veriore.
Mënyra e largimit të kryetarëve në komuant veriore ishte përcaktuar që ta mbahet përmes peticionit, pra mbledhjes së nënshkrimeve nga ana e qytetarëve serb.
Deri më tani nuk kishte pasur ndonjë lëvizje për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore.
Në ndërkohë, Atiq në disa deklarime mëparshme kishte thënë se nëse dështon peticioni ai nuk do të japë dorëheqje.
“Jo. Është absurd edhe me i ik përgjegjësisë. Ne kur kemi kandiduar për kryetar komune, ne kemi pasur parasysh edhe rrethanat, edhe pozicionin për të cilin jemi duke synuar. Tash ku është logjika e kësaj të heqim dorë, edhe me i çu komunat prapë në zgjedhje, nëse nuk ka një përgatitje reale në terren, nëse nuk ka një gatishmëri prej qytetarëve të komunave përkatëse. Ajo veç do ta përsëriste situatën prej fillimit.” – kishte thënë ai.
Gjithashtu ditë më parë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas një takimi me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, kishte konfirmuar nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve.
“Tashmë kemi katër grupe të qytetarëve në veri të vendit që po mbledhin nënshkrime. Nga informacionet që kemi nga kryesuesit e kuvendeve, të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut , me datën 22 dhjetor janë takuar me qytetarë që kanë iniciuar këtë Proces dhe janë autorizuar si palët dhe nga data 22 fillon rrjedhja e afatit. Ndërsa për komunën e Zveçanit kemi një situatë tjetër, pasi kryesuesja e Kuvendit s’e ka proceduar tek KQZ kërkesën e qytetarëve.” – kishte thënë ai.
“Por siç është paraparë me udhëzim administrative, qytetarët i janë drejtuar MAPL-së dhe KQZ-së dhe kanë pranuar numrin e trupës votuesve në Zveçan dhe 20 % e duhur për të mbledhur nënshkrimet dhe për të procesuar me pjesën tjetër të udhëzimit administrativ.” – pati deklaruar Krasniqi.
Ndërsa, pavarësisht presioneve, Qeveria e Kosovës kishte insistuar se rruga e vetme për largimin e kryetarëve në veri ishte organizimi i peticionit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se zgjidhja më e mirë është nënshkrimi i peticionit.
“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual.” – kishte thënë Kurti.
Kujtojmë se zgjedhjet në katër komunat në veri u mbajtën më 23 prill. Pas bojkotimit nga partitë serbe, në krye të komunave u zgjodhën kryetarët shqiptarë.