Petar Petkoviq reagon për arrestimin e ish-policit serb
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Ai ka treguar se Policia e Kosovës e ka arrestuar Pantiqin në pikën kufitare në Jarinje.
“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Kurtit kanë arrestuar sot në vendkalimin administrativ në Jarinje, Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili është larguar nga ky institucion më 5 nëntor së bashku me kolegët e tij, dhe i cili deri atëherë ishte i punësuar në stacionin policor në Mitrovicë”, ka thënë Petkoviq, raporton “Tanjug”.
Ai ka thënë se arrestimi është një hakmarrje politike. Madje raportohet se për këtë, Petkoviç e ka telefonuar edhe emisarin Lajçak. "Kurti po bën hakmarrje brutale dhe frikësim. Ai është duke u hakmarrë për largimin nga institucionet në veri, përfshirë policinë”, ka thënë Petkoviq.
Kjo ka indinjuar serbët lokal , të cilët kanë bllokuar rrugën në Rudarë afër Zveçanit, dhe në Leposaviq.
Në Mitrovicën e Veriut janë lëshuar edhe alarmat e njohur si “uzbuna”.