Për çka do të mbahet mend 24 marsi i 2022? Top ngjarjet e ditës së djeshme - NACIONALE

Për çka do të mbahet mend 24 marsi i 2022? Top ngjarjet e ditës së djeshme

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përvjetori i 23-të të bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë u karakterizua me zhvillime në sferën politike, atë të drejtësisë e sportit.

Natyrisht, kryengjarja e Kosovës ishte ditëlindja e kryeministrit, Albin Kurti, i cili sot mbushi 47 vjet. Nejse, pak hajgare. Megjithatë, Kurti mori shumë urime në Facebook në foton e re në profil të postuar nergut për ditëlindje.

Dy torte, shumë komente, një foto të bukur profili dhe një intervistë (dorën në zemër gati monolog) shënjuan ditën e Kurtit.

Nga 10 mijë komentet që mori në profilin e tij, Gazeta Nacionale ka zgjedhur më të mirin urim drejtuar Kurtit. “Shekullofsh gjatë, kryeministër”, ishte komenti me urimin më të përzemërt për të parin e ekzekutivit.

Shakatë anash, ngjarja kryesore që shënoi ditën e sotme në Kosovë ishte përvjetori i sulmeve ajrore të NATO-s.

23 vjet më parë aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së Serbisë.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e cila zgjati 78 ditë e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës [SHBA], Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.

Kryeministri Kurti, me një shkrim të gjatë ka përkujtuar 23-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Drejtësia jonë, në atë datë 24 mars të 23 viteve më parë, konfirmoi se rrugëtimi ynë i pavarur ishte i njëjtë me reflektimin e vendeve me demokracinë më të zhvilluar në këtë rruzull. Fitorja jonë ishte e dyfishtë: ndjenja jonë e drejtësisë fitoi, dhe kjo drejtësi nuk ishte vetëm ajo e jona, por edhe ajo e shteteve më të fuqishme e demokratike, e NATO-s”, ka shkruar Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 23-vjetorit të fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj objektivave serbe, shkroi se ne jemi përjetësisht mirënjohës ndaj aleatëve tanë.

Tani më shumë se kurrë, bota demokratike duhet ta kujtojë këtë histori suksesi”, ka shkruar ajo ndër të tjera.

Për nder të përvjetorit të bombardimeve të NATO-s sot Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne.

Kurse gjatë paradites së sotme, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca bënë homazhe pranë bustit të ish-sekretares Madeleine Albright e cila vdiq të mërkurën në mbrëmje në moshën 84 vjeçare.

Zhvillimet nuk munguan as në rrafshin e drejtësisë. Anti-korrupsioni nisi hetimet ndaj Luan Dalipit, shef i stafit të Albin Kurtit.

Në deklarimin e tij të pasurisë në vitin 2021, siç duket Dalipi nuk i ka përmendur edhe disa biznese që i mban nën pronësi.

E për këtë punë për Nacionale kanë folur nga Agjencia Kundër Korrupsion, të cilët kanë konfirmuar se kanë nisur një hetim ndaj njeriut të afërt të Albin Kurtit.

Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse. Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, thuhet në përgjigjen e Yli Buleshjkajt, drejtor i AKK-së, për Nacionalen.

Drejtësia ishte edhe më tutje fokus i pasdites së sotme. Shoqëria civile kërkoi që zgjedhja e kryeprokurorit të kthehet në pikën zero.

FOL, IKD dhe GLPS, po kërkojnë që procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit të anulohet. Sipas tyre, ky proces ka dështuar dhe se asnjë nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi për këtë pozitë dhe ka pasur trajtim jo të barabartë ndaj kandidatëve. Këtë thirrje të organizatave të shoqërisë civile e ka përkrahu edhe pushteti nëpërmjet deputetit Adnan Rrustemi, i cili kërkoi shpalljen prapë të thirrjes për kryeprokuror.

Vlen të përmendet që gjyqtarja serbe që mori pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u suspendua nga detyra.

Ndërkaq, mbrëmja e sotme ishte e rezervuar për sport pasi që Kombëtarja e Kosovës në Futboll zhvilloi ndeshje miqësore në “Fadil Vokrri”. Djemtë e kombëtares e mposhtën 5 me 0 Burkina Fason, për t’i dhënë trajnerit Alain Giresses një debutim të ëndërrave si timonier i Dardanëve.

Loja nisi me një minutë heshtje për nder të vdekjes së ish-sekretares Albright, kurse tifozët dardanë kanë mbajtur një koreografi të veçantë para fillimit të ndeshjes.

"Marsi i rezistencës, lavdisë, krenarisë, fitores", ishte mesazhi i tifozëve tanë.

E çudia e mbrëmjes së sontme në sport ishte moskualifikimi i Kombëtarës italiane për Botërorin 2022.

Kampioni i Evropës humbi nga Maqedonia e Veriut e cila ka siguruar një tjetër rezultat historik. Ndeshja përfundoi mes fishkëllimave të mëdha të publikut vendas për humbjen në Palermo.

Deklaratat ndaj çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë kanë vazhduar edhe gjatë të ënjtjes. Reagimin të QUINT-it kryeministri Kurti i cilësoi si “kritika të ashpra”.

Lajme të ngjashme