"Personalitet historik": Qëndrimet e zbutura të Albin Kurtit ndaj Hashim Thaçit në muajt e fundit - NACIONALE

"Personalitet historik": Qëndrimet e zbutura të Albin Kurtit ndaj Hashim Thaçit në muajt e fundit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot po mbahet “Marshi për Drejtësi” në shenjë solidarizimi me ish-liderët e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Marshin po e mbështet edhe Vetëvendosja, partia e drejtuar nga Albin Kurti. Por, qysh u zbut Kurti në raport me Thaçin përgjatë dy muajve të fundit?

I pyetur në lidhje me Marshin e sotëm, kryeministri i Kosovës tha të premten se “nuk kishte dëgjuar” për të. Megjithatë, pak orë më pas partia e tij shprehur mbështetje.

Sidoqoftë, cili ishte raporti i Kurtit me Thaçin me anë të disa deklaratave?

Personalitet historik

Për një gazetë shqiptare në Maqedoni, Kurti para disa javësh e vlerësoi si “personalitet historik” ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Kosovës duke çuditur opinionin në Kosovë.

Kurti u pyet për figurën e Demaçit, Rugovën dhe Thaçin. Çka i bashkonte këto tri figura, dhe ku kishin gabuar në procesin e shtetndërtimit?

““Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra. Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur.” – kishte thënë kryeministri i Kosovës.

Të rrahurat e zemrave

Ish-kundërshtari i madh i Hashim Thaçit në politikë kishte pasur një fjalim mjaft domethënës edhe në përvjetorin e 15 të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.

Ai kishte bërë referencë me fjalimin e Thaçit më 17 shkurt 2008.

“Tani, më lejoni, që duke ndjerë rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë në veshët tonë unë me privilegjin më të madh do ta lexoj deklaratën e pavarësisë së Kosovës...” – thoshte kryeministri Thaçi në atë ditë.

“Duke e kujtuar atë ditë të ftohtë të 17 shkurtit 2008 teksa festojmë ditëlindjen e sivjetme të shtetit të Kosovës, 15 vjet më pas vazhdojmë të ndjejmë të rrahurat e zemrave të të gjithë atyre që luftuan dhe punuan për atë ditë...” tha Kurti 15 vjet më vonë.

Kurti në atë fjalim kishte pasur të tjera fjalë që mund të cilësohen si pozitive për Thaçin.

Krahu politik

“Republika jonë erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999 na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese...” - tha Kurti mes tjerash.

Kush ishin ushtarët e UÇK-së që bënin përpjekje të përfshinin aleatët ndërkombëtarë dhe që komunikuan me ta? Në krye të tyre ishte Hashim Thaçi, si drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, e që më vonë do të bëhej edhe udhëheqës i delegacionit të UÇK-së në Rambouillet.

“Ishin po këta aleatë ndërkombëtarë që më 2008 po ata faktorë vendorë në koordinimin e të gjitha atyre veprimeve të nevojshme politike dhe proceseve të domosdoshme diplomatike që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.” – kishte thënë kryeministri.

Pra, Kurti flet për “po ata faktorë vendorë” duke pasur ndërmend pikërisht ish-ushtarët e UÇK-së që arritën t’i përfshijnë ndërkombëtarët. Është e qartë se përsëri ai po i jepte merita ish-presidentit Thaçi.

Nuk dihet se për çfarë arsyesh Kurti ka zbutur qëndrimet e tij ndaj Hashim Thaçit në muajt e fundit.

Lajme të ngjashme