Përshëndetja e çuditshme: Kundërshtarja e largon dorën, por Trudeau ia tërheq
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, është përshëndetur në mënyrë të çuditshme me kryeministren rajonale të rajonit Alberta, Danielle Smith. Duket se zonja Smith nuk ishte fort e interesuar që t’ia shtrëngonte dorën kryeministrit, por ai nuk hoqi dorë.
Qeveria federale e Kanadasë dhe qeveria rajonale në Alberta kanë pasur tensione dhe mosmarrëveshje sa u përket taksave dhe politikave mjedisore. Këto tensione ishin të qarta të martën, kur dy politikanët u përshëndetën në mënyrë jo aq miqësore.
Në takimin e parë zyrtar mes tyre, Trudeau u duk me vetëbesim se duhej të ndodhte një shtrëngim i duarve. Të dy politikanët i ngritën duart, por në momentin e fundit, zonja Smith u duk se e ndryshoi mendjen, duke e ulur dorën.
Megjithatë, pa u zmbrapsur, kryeministri ia merr dorën kundërshtares politike dhe ia mban, duke qeshur para kamerave. Smith dha një buzëqeshje të dobët, shkruan gazeta “The Guardian”.
Zonja Smith është bërë njëra ndër kritiket më të zëshme të kryeministrit dhe të politikave të qeverisë së tij.
Qeveria rajonale e saj rishtazi ka miratuar legjislacion kundërthënës, të njohur si akti i sovranitetit të Alberta-s, që do t’ia jepte autoritetin qeverisë së saj që t’i udhëzojë agjencitë rajonale për t’i shpërfillur ligjet federale.
Përderisa Trudeau nuk është i panjohur për kundërshtimet ndaj tij në pjesën perëndimore të vendit, ai nuk është i panjohur as për shtrëngimet e çuditshme të duarve.
Në takimin e parë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, ai ishte udhëheqësi i parë që disi i kishte bërë ballë përshëndetjes së fuqishme të Trumpit me shtrëngim duarsh.