Përqeshje e absurditete: Paraqitja qesharake e mbrëmshme e analist Shkëlzen Gashit - NACIONALE

Përqeshje e absurditete: Paraqitja qesharake e mbrëmshme e analist Shkëlzen Gashit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëpër emisionet e debateve televizive kemi parë e dëgjuar llojlloj paraqitjesh nga analistët tanë. Paraqitja e mbrëmshme e Shkëlzen Gashit ishte mjaft mbresëlënëse, duke përfshirë konspiracion, përqeshje, llafe të bajatshme kafenesh e absurditete.

Në televizion, imazhi është gjithçka. Dhe kjo duket se kuptohet nga Shkëlzen Gashi, që s’ka çka të ofrojë tjetër përveç imazhit në paraqitjet e tij televizive. Pa përmbajtje. Pa ide. Kurrfarë mënyre e re për t’i kuptuar ato që ndodhin. Është analist, dreqi ta hajë!

Ai kërkon të ndërtojë imazhin e një analisti televiziv serioz. Gjatë emisionit të fundit, ndoshta 40 minuta (në mos më shumë) i kaloi duke mbajtur shënime. E kur nuk mbante shënime, shikonte ekranin e madh prapa moderatorit. Rrallë i shihte me sy bashkëbiseduesit tjerë derisa flisnin, qoftë edhe sa për t’iu dhënë respekt minimal.

Por, për çka po mbante shënime? Për emision, natyrisht. Por, çka tha? Eh, këtu na shfaqet ‘cullak’ e gjithë ajo që thamë më lart.

“Më i rrezikshëm se ai që s’ka lexuar asnjë libër, është ai që e ka lexuar veç një libër,” – thotë një proverbë. Shkëlzen Gashi, nuk ka lexuar mjaftueshëm dhe natyrisht jep shpjegime e përshkrime të thjeshta.

Nuk p’e përshkrujë thjeshtë!” - tha ai mbrëmë, pasi e përshkroi thjeshtë gjithë situatën në veri të Kosovës.

Amerika ka interes

Në një moment gjatë emisionit, ai u pyet nga moderatori Leonard Kërçuki se a ishte i shqetësuar për reagimet e ashpra të ndërkombëtarëve. Kërçuki dukej se po e pyeste sinqerisht.

“...reagimet e bashkësisë ndërkombëtare mu nuk m’shqetësojnë. Ata jon ndërmjetësues. Ata bohet aleatë me ty dhe të mbështesin nëse kanë interes. N’momentin që s’kanë interes, nuk t’mbështesin. Kaq.” - u përgjigj Gashi.

Ai vazhdoi më tej duke thënë që Amerika kishte ndërhyrë “me interes” edhe më 1999, për të shpëtuar popullin e Kosovës nga dhuna e regjimit serb.

Por, paraprakisht ai kishte provuar të minimizonte ashpërsinë e reagimeve ndërkombëtare – mos harroni, Blinkeni tha që “do të kishte pasoja në raportet Amerikë-Kosovë situata në veri – duke krahasuar reagimet pikërisht gjatë kohës së luftës ndaj UÇK-së.

S’ka pakënaqësi të serbëve me Kurtin

Qysh në nisje të emisionit ai i tha disa fjalë aq absurde sa është e zorshme edhe t’i komentosh.

“E rëndësishme është që nuk ka protesta prej qytetarëve serbë në veri edhe nuk ka pakënaqësi prej qytetarëve të komunitetit serb që jetojnë në krejt territorin e Kosovës me Qeverinë e Kosovës,” – tha ai. (min 17:47).

Një gjë e tillë, natyrisht është e pavërtetë. Ka pakënaqësi edhe nga qytetarët serbë dhe ajo është demonstruar në forma të ndryshme edhe përgjatë ditës së djeshme. Po e përmendim Nenad Rashiqin e Rada Trajkoviqin (që punojnë në Qeveri të Kosovës) dhe Milija Bishevacin e Aleksandër Arsenijeviqin (kundërshtarë të Listës Serbe) mes shumë tjerësh.

Por, megjithëse sipas Gashit serbët nuk kanë pakënaqësi me Qeverinë, pakënaqësi ka ai me Qeverinë bash për serbët.

“Unë kom shumë vërejtje që qeveria e Kosovës nuk po bon ma shumë për minoritetin serb në Kosovë në një mori fushash tjera.”

Nëse Shkëlzen Gashi ka vërejtje për Qeverinë për serbët, pse të mos kenë edhe serbët po me Qeverinë për veten e tyre?

Eh, imazhi!

Naj herë tërhiqet, naj herë jo

Po e sjellim pjesën e mëposhtme, pa kurrfarë komentimi. Shijojeni!

“Ky (Albin Kurti) po thotë “unë kom me shtri sovranitetin atje (në veri)”. Naj herë edhe tërhiqet. Naj herë bon tërheqje taktike. Naj herë tërhiqet komplet edhe lëshon pe. Kjo mbetet me u pa!”

Osht mirë me provu...

Megjithëse mbetej “me u pa” siç tha më lart, ai besonte që ishte mirë të bëheshin prova.

“Unë menoj që osht mirë me provu për me pa a mujnë institucionet e Kosovës me shtri sovranitet a jo...”

Fundja, pse jo? Mund t’i dëmtojmë raportet me partnerët, mund ta dëmtojmë shtetin dhe të ardhmen e tij. Por, pse jo?

Konspiracion

Në mënyrë të çuditshme, ai gjatë emisionit të mbrëmshëm e tha edhe një konspiracion.

“Një sen jom i sigurtë. Qitash me ja dhonë, ti sonte m’i thonë po ta japim veriun Serbisë – prej Ibrit e tenaltë osht e jotja – nuk ta merr. Nuk don Serbia me marrë veriun.”

Sipas tij, Serbia ishte e interesuar thjesht për defunksionalizimin e Kosovës. Por, veriun s’e merr?

Përqeshje

Natyrisht, për të ndërtuar një imazh të respektueshëm duhet edhe të përqeshësh. Përqeshja bëhet kur përqeshësi e sheh veten më lart se të përqeshurin. Natyrisht, ndihmon shumë!

Ai në emisionin e mbrëmshëm përqeshi shtatë intelektualë – përfshirë Agon Maliqin, Visar Ymerin e Qëndrim Gashin - që kishin formuluar një letër të hapur ku i kërkonin kryeministrit Kurti të kishte bashkëpunim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

“Zgjidhja që e kishin dhonë ish: bashkëpunim i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë!” - tha ai, derisa qeshte.

Kur u pyet pse i duhej hajgare kjo, ai tha:

“S’po di. Qesharake bile.”

Ai harroi që paraprakisht shpalosi qëndrimin se “Amerika kishte ndërhyrë për interes në Kosovë”.

Lajme të ngjashme