Përplasje e debate të gjata: LDK e PDK e sulmojnë Kurtin për pajtimin me Vuçiqin
Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon ende, ku po diskutohet në lidhje me marrëveshjen evropiane, që u publikua zyrtarisht më 27-shkurt, e të cilën kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm të nënshkruaj. Si gati çdo herë, edhe kësaj radhe diskutimi në Kuvendin e Kosovës u shënjua nga debatet e ashpra e përplasjet mes pushtetit dhe opozitës. Kujtojmë që ky diskutim, po mbahet pas një mocioni të LDK-së.
I pari që mori fjalën në Kuvend, në fillim të seancës, ishte z. Abdixhiku, i cili tha se Kurti ka pranuar një marrëveshje që parasheh edhe më shumë se “Zajednica”.
Abdixhiku ka përsëritur pikat shqetësuese nga marrëveshja që Kurti është dakorduar e që sipas tij, është parathënia e marrëveshjes dhe neni 7 dhe 10 i propozimit të BE-së.
“Frika e mazhorancës nga fjala jonë është dëshimi e të vertësë sonë për të trajtuar një temë jetike si çështja e dialogut. Ne kërkojmë të trajtojmë gjithë marrëveshjen e arritur më 27 shkurt në Bruksel e të paprezantuar në Bruksel. Dhe të flasim për parathënien e marrëveshjes të mbajtur fshehtë nga kryeministri i Kosovës në seancën e fundit të cilën e la në gjysmë.” – ka thënë ai.
Kritikave të Abdixhikut, iu përgjigj z. Albin Kurti, kryeminsitër i Kosovës.
“Më lejoni të theksoj që shpesh ka një keqkuptim sa i përket këtyre dy dokumenteve. BE-ja e ka propozuar vetëm një dokument, atë të marrëveshjes bazë. Plani i Zbatimit duhet të negociohet.” – nisi fjalën e tij kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Kurti foli se si Serbia e kishte refuzuar marrëveshjen, duke thënë që arsyetimet e këtij refuzimi “nuk meritonin komentimin e tij”.
“Ata që thonë se kjo nuk ka njohje de fakto, atëherë e kanë barrën e provën të tregojnë se pse Serbia e refuzoi atë...” – u shpreh kryeministri.
Tutje, Kurti nuk ka pranuar ta ndajë marrëveshjen e Asociacionit si të vetme.
“Nuk do të lejoja të negocioj asgjë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe diçka që lejon mono-etnicitetin apo krijon hapësira për ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Asnjë nga këto, asnjëherë. Asnjë nga gabimet e qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë. Shumë detaje nuk mund t’i them, por mendja e shëndoshë i kupton lehtë ato nga një lexim i veprimeve dhe teksteve që kam bërë. Në këtë pikë, më lejoni të theksoj që i vetmi nen ku ka problem në këtë marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara e që ka koncensus ndërkombëtar që duhen zbatuar. Neni 10 i marrëveshjes në fjalinë e fundit që thotë se marrëveshjet e Brukselit duhen zbatuar.” - ka thënë Kurti.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e komentoi nenin 7 të marrëveshjes, që është neni më i kritikuar në marrëveshjen evropiane. Në adresimin e tij para deputeteve, Gashi ka thënë se paragrafi i këtij neni, i cili flet për një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, është përtej Asociacionit.
“Në rastin me të mirë është shumë dobët për ty, paaftësitë e jotja në negociata dhe në rastin me të keq tradhti që ta kanë bë ose ti e kë bë ndaj Kosovës… Jemi në një situatë jashtëzakonisht të rëndë. Neni 7 është përtej çdo marrëveshje të arritur deri sot. E përsëris me bindje, sepse dera që e ke hapur me nenin 7 kalon përmes Karotës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale të 15 tetorit të vitit 1985, ose i njohur ndryshe si Traktati 122. Kësaj iu ke referuar në marrëveshje dhe kësaj Kosova ka me ia pa sherrin”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, z. Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, e ka komentuar fjalen “Vergangenheitsbeëltigung”, të cilën Kurti e përdori si mbrojtje ndaj akuzave të LDK-së për “kapërcimin e trashëgimisë të së kaluarës”.
“Fjala jashtëzakonisht interesante, s’ka faj kryeministri që nuk mundi me e shqiptu edhe për gjermant besoj që është zorë, se është fjalë e gjatë… “Gjermant e kanë përdorë këtë fjalë që kryeministri e përmendi për me e trajtu historinë e tyre të nazizmit dhe nuk është një fjalë që lidhet me kontekstin tonë aktual." – ka thënë ai gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.
Pas debateve deri diku të artikuluara e pa fyerje, në skenë hyri zonja Mimoza Kusari-Lila, e cila e kritikoi ashpër Abdixhikun, shefin e LDK-së.
“Propozuesi këtu para nesh spikati tri elemente të cilat e tregojnë se kjo kërkesë nuk bëhet në baza të parimeve për interesin e qytetarëve, por në baza të inatit politik. Kundërshtia në vetëvete shitet si parim... Sikur të kishin parime, do të kundërshtonin diçka tepër më të dëmshme që i kishin nënshkruar vetë.” – u shpreh mes tjerash shefja e deputetëve të VV-së, zonja Kusari.
Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar z. Abdixhiku, i cili ia përmendi funksionet që ka pasur zonja Kusari, nga këshilltare te Bajram Rexhepi i PDK-së, te Behgjet Pacolli i AKR-së, Hashim Thaçi, LDK e në fund te VV-ja e Kurtit.



