Përmbledhja ditore | Për çka do të mbahet mend 11 marsi? - NACIONALE

Përmbledhja ditore | Për çka do të mbahet mend 11 marsi?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përshëndetje të dashur lexues, jeni me përmbledhjen ditore të gazetës Nacionale!

Dita e djeshme, fatmirësisht, ishte më e mirë se e pardjeshmja. Të paktën, pati më pak vaj për vaj. Ndërkohë, pati më shumë vaj nëse flasim për vajin e lulediellit sepse diku rreth 100 mijë litra ishin gjetur pa dokumentacion pas një aksioni policor.

Edhe inspektorët e Tregut me ata të Administratës Tatimore të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës përjetuan një zgjim të rrallë nga gjumi. Ata inspektuan bizneset për të mbikëqyrur shitjen e derivateve të naftës. Ministria e Tregtisë njoftoi se gjatë këtyre inspektive janë shqiptuar një numër i madh gjobash.

Pak më vonë, kryeministrit Kurti do t’i dilte një punë.

Ai, së bashku me ministren e Jashtme të Gjermanisë që mbante emrin Annalena Baerbock. Kurti u detyrua të zhdjergjej në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës për të inauguruar Parkun e Erës Selac Windpark.

Të shihje Kurtin duke prerë një shirit të kuq ishte pamje e rrallë. Por, ja që projekti në fjalë ishte nisur para se ai të ishte në pushtet. Opozita tha se për projektin ku ishin investuar mbi 170 milionë euro, kryeministri nuk e kishte asnjë meritë.

Gjatë ditës së djeshme, përveç Baerbockut vendin tonë e vizitoi edhe ministri danez i Drejtësisë, Nick Haekkerup. Besoj, e mbani mend marrëveshjen ku Kosova do t’i huazonte Danimarkës shumë qeli burgu. Epo, kjo vizitë ishte bash për këtë çështje.

Përtej Kosovës, ndërkohë, pati po ashtu zhvillime të ndryshme për Kosovën. Dje në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të veturave. Ky njoftim u dha nga emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun që mbante emrin Mirosllav Lajçak.

Në një shkrim në Twitter, ai ka thënë se ekspertët e BE-së kanë ndihmuar dy delegacionet të identifikojnë opsionet ekzistuese dhe ndikimet teknike. Megjithatë, pavarësisht 6 takimeve ende s’është arritur në një zgjidhje përfundimtare. Lajçaku ka thënë se “tash është koha për t’u angazhuar për gjetjen e gjuhës së përbashkët”.

T’i rikthehemi edhe një herë Prishtinës. Në rrjetet sociale bujë të madhe bëri edhe mënyra se si shefja e diplomacisë tonë, Donika Gërvalla, po ecte gjatë pritjes së shefes së diplomacisë gjermane. Kjo e fundit ishte lënë fare në qosh të tepihut të kuq të shtruar posaçërisht për të nga Gërvalla që kishte zënë pjesën më të madhe të tepihut. Vetëm Donika Gërvalla mund ta shndërrojë në huqje edhe një ceremoni të thjeshtë nderuese.

Sidoqoftë, ministrja Baerbock duket se nuk ia pa për të madhe ministres tonë. Në fotografitë e shpërndara nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ku shfaqeshin aktivitetet e znj. Baerbeck nuk ishte shfaqur fare znj. Gërvalla Schwarz.

Duke ju dëshiruar një vikend sa më të mirë ne ju ftojmë të qëndroni me gazetën Nacionale!

Lajme të ngjashme