Përmbledhja ditore e 11 marsit - NACIONALE

Përmbledhja ditore e 11 marsit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Na ishte një herë e një kohë kur vaji kushtonte vetëm 90 centë. Për fat të keq, gjatë ditës së djeshme u fry çmimi i vajit dhe menjëherë më pas u shfry zemërimi qytetar në internet.

Ta nisim nga e para. Çmimi i vajit arriti në 3 euro e 49 centë nga 2 euro e pak centë sa kisthe qenë para pak ditësh. Nuk po flasim për vajin e ullirit por për vajin e lulediellit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjeti kohë të bënte shaka edhe gjatë kësaj dite duke thënë se çmimi në fakt nuk ishte 3 euro e 50 centë por e 3 euro e 49 centë. Kjo erdhi një ditë para se Kurti t’ju bënte thirrje qytetarëve, me apo pa shaka nuk dihet, që ata ta kthenin miellin nëpër furra.

Gazeta Nacionale raportoi se po fabrikës së vajit ku po bënte vizitë Kurti, po i shitej vaji për 3 euro e kusur.

Thirrjet për ndërhyrje të Qeverisë gjatë ditës u shpeshtuan. Opozita, analistë, gazetarë, shkrimtarë, poetë e vetë simpatizantë të partisë së Kurtit ranë në dilemën hamletiane: të kishe apo të mos kishe... vaj.

Por, çështja në fakt është shumë më e thellë se vaji. Ku është nafta, benzina, rryma, uji, mielli, vezët, drutë? Të gjitha këto, e shumë e shumë produkte tjera, janë shtrenjtuar.

Për habi, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka ende bord dhe është paralizuar, çka pezmatoi veçanërisht kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Ndërkohë, larg Abdixhikut dhe Kosovës, në Ukrainën jo aq të largët luftimet vazhduan edhe për ditën e pesëmbëdhjetë me radhë. Kësaj here, megjithëse pati një rund negociatash në Turqi të udhëhequr nga ministri i jashtëm turk, Çavushoglu, nuk pati ndonjë përparim mes palëve. Ukraina dhe Rusia luftuan edhe në interpretimin mbi bombardimin rus të një spitali fëmijësh. “Rusët dinë të jenë shumë bindës me rrena,” – kishte komentuar presidenti Zelenskiy.

Larg Ukrainës e Mariupolit, një skandal i rëndë diplomatik do të ndodhte në Strasbourg. Njeriu i dytë i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, do ta përgënjeshtronte publikisht zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, pas një postimi të këtij të fundit në Twitter. E gjithë çështja kishte të bënte me aplikimin e Kosovës për pranim në KE, nga e cila është përjashtuar së fundi Rusia. Kosova mendohej se kishte gjasa të mira pranimi pas këtij zhvillimi, dhe gjëja e fundit që na duhej ishte një skandal. Por, ja që bash skandali ndodhi.

Më pas, Besnik Bislimi kërkoi falje për gënjeshtrën e tij por nuk besohet që do të mjaftojë kërkimfalja që Kosova të mos lëndojë gjasat për anëtarësim.

Po ju rikujtojmë, sot është 11 marsi 2022. Por, çka ndodhte në Kosovë saktë para 10 vitesh, pra më 11 mars të vitit 2012?

Serbët në veri të vendit kishin bllokuar për herë të pestë EULEX-in, derisa KFOR-i kishte bllokuar trafikun në rrugën e Zveçanit. Në anën tjetër, shkruhej edhe që serbët në veri të vendit nuk pranonin asnjë institucion të Kosovës. Kjo do të ndryshonte fatmirësisht me kalimin e kohës.

Po në atë ditë, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, kishte deklaruar se një zgjidhje për veriun e Kosovës nuk mund të ishte zgjidhje e papranueshme për serbët. Pra, duhej të ishte e pranueshme për serbët.

Për fat të keq, jo shumçka duket se ka ndryshuar që prej 10 vitesh.

Përndryshe, 11 marsi është dita e 70 e këtij viti dhe deri në ardhjen e vitit të ri kanë mbetur edhe jo më shumë se 295 ditë. Gëzuar!

11 marsi është dita botërore e hidraulikëve. E atyre personave, pra, që e ndreqin llavabonë tuaj, ose edhe makinën për larjen e pjatave ku i futni fërteret e tenxheret e yndyrosura me vaj të shtrenjtë luledielli.

Duke ju uruar një ditë të mirë ne ju ftojmë të rrini me gazetën Nacionale!

Lajme të ngjashme