Perlë nga intervista e kollajtë e Kurtit: “Ndërkombëtarët na shitën armë për FSK-në vetëm kur e panë që s’ka korrupsion” - NACIONALE

Perlë nga intervista e kollajtë e Kurtit: “Ndërkombëtarët na shitën armë për FSK-në vetëm kur e panë që s’ka korrupsion”

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Fushata zgjedhore po sjellë 'perlat' propagandistike të veta.

Albin Kurti i Vetëvendosjes mbrëmë në një intervistë televizive në "Kanal 10" u krekos për qindfishim të blerjeve të armatimeve dhe kapaciteteve të FSK-së.

Kjo ka qenë e mundur, pretendoi ai, sepse ka ndaluar korrupsionin. Me mungesë të korrupsionit, tha Kurti, drita e gjelbërt e shitjes së armëve i erdhi pushtetit të tij.

"Duhet të jesh shumë i besueshëm," tha Kurti. "2018-2020 vetëm 4 milionë për armatim...ne 430 milionë."

"Vetëm kur Kosova është ngritur në rejtingun ndërkombëtar për ulje të korrupsionit ata kanë filluar me na shit neve armatim," tha ai.

Por dy janë çështjet që s'i qëndrojnë realitetit.

E para: FSK u shndërrua në ushtri vetëm pas ligjeve që kaluan në dhjetor 2018. Deri atëherë s'kishte të drejtë të pajisej me armë, pasi ishte forcë pa mandat ushtarak.

E dyta: "korrupsioni serioz qeveritar" vijon të konstatohet çdo vitit me frazim të njëjtë në raportet e Departamentit amerikan të Shtetit.

"Partnerët ndërkombëtarë është dashur që ta shohin Kosovën shtet me qeveri me duar të pastra që lufton korrupsionin, para se me ta shit armatimin," tha Kurti.

"Shtetet anëtare të NATO-s nuk i japin armatim gjithkujt. Duhet të jesh shumë i besueshëm dhe i pastër në kuptimin e ndershmërisë dhe antikorrupsionit."

"Ne kemi blerë prej Turqisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Kroacisë, prej shumicës së vendeve të NATO-s," tha Kurti.

"Sepse në Transparency International ne jemi ngritur shumë lart për këto pesë vjet. Vetëm kur Kosova u ngrit në rejtingun ndërkombëtar ata filluan me na shit armatim."

Ndërkaq, "korrupsioni serioz qeveritar dhe pandëshkueshmëria" vazhdojnë të jenë konstatim shtetëror në raportet e Departamentit amerikan të Shtetit.

Avni Arifi, ish-shef i Kabinetit të Qeverisë Haradinaj kur u miratuan ligjet për ushtrinë dhe u mor bekimi i Pentagonit, tha për Nacionale se pretendimet e Kurtit "janë fymje e madhe e inteligjencës së qytetarëve."

"Deri në vitin 2018, Kosova ka mujt me ble vetëm me kontrabandë," thotë ai me humor.

"FSK deri atëherë ka mundur të blejë vetëm armë personale e të lehta, dhe të zhvillojë kapacitete për deminim dhe katastrofa natyrore."

"Kur e kemi bë ushtrinë në 2018, u kanë edhe akceptu bashkë me Planin e Veprimit që ka parapara për sa dhe çfarë armësh kemi me i ble," tha Arifi.

Për pretendimin e Kurtit se vetëm me ardhjen e qeverisë së tij "duarpastre" nisën shtetet e NATO-s t'i shesin armë Kosovës, Arifi është i prerë: kjo është "rrenë brutale."

"Kur e ki bekimin e ushtrisë amerikane, të gjitha vendet e NATO-s me kënaqësi të shesin armë," tha ai.

"Me rrejt kaq brutal që kjo ka të bëjë me korrupsion, është me fy dhe me konsiderua qytetarin e Kosovës dibibus."

Lajme të ngjashme