Përkrahje e çuditshme: 50,5% e qytetarëve e mbështesin “Zajednicën”, 49,5% shkëmbimin e territoreve
Sondazh i UBO Consulting, i cili është publikuar dje në RTVDukagjini ka nxjerr të dhënë interesante.
Përveç qëndrimit të tyre për partitë politike, qytetarët kanë shprehur mendimet edhe për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.
Në pyetjen se në këtë proces të dialogut cilin kompromis do ta mbështesnin, ata kanë zgjedhur opsionin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kundrejt idesë se ripërcaktimit të kufijve.
Bazuar në sondazhin e porositur nga RTV Dukagjini, 50,50 për qind e qytetarëve janë shprehur se e mbështesin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ndërsa, 49,5 për qind e qytetarëve janë shprehur pro idesë se shkëmbimit të territoreve në mes të dy vendeve.

Kjo e dhënë ka nxitur reagime të shumta në opinion.
Analisti politik Ilir Mirena ka vlerësuar se ky rezultat tregon që populli e Kosovës po e dëshiron formimin e “Zajednicës”.
“Marakli t'Zajednicës. Në një sondazh që po u publikojke sonte, në pyetjen se cilin opsion prefereoni: Zajednicen, a shkembimin e territoreve. 50.9 ishin deklaruar në favor të Zajednicës.... Urime, urime, popull zajednicedashes. Ta gezoni...”, ka shkruar Mirena në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe gazetari Vehbi Kajtazi është shprehur i shokuar me këtë përkrahje të qytetarëve për Asociacionin.
Sipas tij, sondazhi ka treguar se shumica e qytetarëve të Kosovës po e përkrahin autonominë për serbët.
“Nëse 50.5 për qind e popullit janë për autonomi të serbëve në Kosovë, atëherë po e kthejmë krejt Serbinë në Kosovë. Nuk ka mbet ma kurrgjë pos kthimit të plotë nën Serbi”, ka shkruar Kajtazi në profilin e tij në “Facebook”.
“Shkëmbimit të territoreve s’ka vdekur, por s’mund të jetësohet”
Gjatë muajve të fundit, edhe kryeministri Albin Kurti ka folur disa herë për idenë e shkëmbimit të territoreve.
Në muajin nëntor, në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris, kryeministri Kurti ka thënë se shkëmbimit të territoreve s’ka vdekur, por s’mund të jetësohet.
Ai ka fajësuar paraardhësin e tij për një gjë të tillë.
“Ky projekt i shkëmbimit të territoreve kishte homolog edhe në Kosovë, nga pararendësi im. Sepse në atë kohë shihej më shumë si një marrëveshje e menjëhershme e rregullimit të shpejtë midis liderëve autoritarë që mund të flasin për njerëzit si për familjen e tyre dhe që mund të diskutojnë për territoret e shteteve sikur të jenë pronë private. “Por kjo kishte një lloj shije feudaliste, monarkike, mbretërore, që nuk ekziston më”, kishte thënë Kurti.
Megjithatë, ai ka pranuar se kjo ide ende nuk ka vdekur.
“Përsëri, mund ta pranoj, pavarësisht dështimit të projektit, ideja është aty, por pa asnjë mundësi që të vihet në jetë” ishte shprehur Kurti.
Ndërsa, gjatë një intervistë për “ZIB 2”, Kurti kishte thënë se shkëmbimi i territoreve mund të nxiste luftë.
“Çfarë do të mund të ndihmonte në rajon për siguri dhe pajtim, është një balancë apo simetri në të drejtat e minoriteteve, ndërsa shkëmbimi i territoreve është një recetë për luftë dhe gjakderdhje”, kishte thënë Kurti.
Ideja e shkëmbimit të territoreve apo ripercaktimit të kufijve kishte qenë si opsion në vitin 2018. Kjo ide ishte mbështetur nga ish-presidenti Hashim Thaçi, por ishte kundërshtuar nga opozita e atëhershme.