Përkrahësja e VV-së, e para në listë për Drejtoreshë në Institutin e Kosovës për Administratë Publike
Lule Isufi ka dalur kandidatja më e vlerësuar në listën e kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Përgjihshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Siç ndodh rrallë, ajo ka arritur të marrë 90 pikë nga vlerësimi me shkrim dhe me gojë.
Ky numër i madh i pikëve, veç sa shton dyshimet për ndikime e ndërhyrje në këtë konkurs, për rekrutimin e drejtorit në një prej instituteve më të rëndësishme në Ministrinë e Xhelal Sveçlës.
Lule Isufi është përkrahëse e partisë në pushtet. Nacionale ka siguruar disa fotografi ku Isufi shihet teksa merr pjesë në tubimet e Vetëvendosjes në Ferizaj.
Në disa prej takimeve, shihen figura të njohura të VV-së, sikur ministri Liburn Aliu.
Motra e Lule Isufit, Ferinaze Isufi, kishte qenë kandidate për Asamble në Ferizaj.
Edhe më herët kishte pasur një tentative që Lule Isufi të rehatohet në këtë pozitë, megjithatë konkursi kishte dështuar.

Për këtë çështje, dhe për punësimet e tjera në këtë institut, Ministria e Brendshme nuk kishte kthyer përgjigje për Nacionalen.
Punësimet në Institutin e Kosovës për Administratë Publike
Nacionale kishte raportuar për dallaveret me punësime në Institutin që deri më tash si U.D e ka udhëhequr, Lule Isufi.
Mirsad Vitia, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, e Ajshe Haliti-Pllana, asambliste e VV-së në Obiliq, edhe zyrtarisht e kanë fituar nga një vend pune në institucionet e shtetit. Më saktësisht në ministrinë që drejtohet nga Xhelal Sveçla.
Përveç si anëtarë të partisë në pushtet, përveç si përfaqësues të qytetarëve në Kuvende Komunale nga Vetëvendosja, së fundmi Vitia e Haliti-Pllana janë punësuar në Institutin për Administratë Publike në kuadër të Ministrisë së Brendshme.
Nacionale ditë më parë kishte mësuar se ky konkurs ishte kurdisur për punësimin e dy asamblistëve, por informacionet nuk u publikuan deri në konfirmimin e këtij konkursi.
Mirsad Vitia, asamblisti i VV-së në kryeqytet është punësuar si Udhëheqës i Divizionit për Organizim të Trajnimeve për nivelin qendror në kuadër të MPB-së. Me koeficientin e shpallur, paga në këtë pozitë shkon në mbi 800 euro, raporton Nacionale.
Dyshimet për kurdisjes ekzistojnë pasi verifikimin paraprak e kishin kaluar plot 15 kandidatë në këtë pozitë. Prej të gjithëve, vetëm Mirsad Vitia e kishte kaluar testin me shkrim. Në fund ai u punësua si kandidati më i suksesshëm me 93.4 pikë.
“Prej fillimit ky konkurs ka qenë i përgatitur. 14 persona i kanë eleminuar nga gara qysh pas testit me shkrim”, tha një sinjalizues për Nacionalen.
Pra, asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, edhe zyrtarisht u bë me një punë të dytë në ministrinë e Xhelal Sveçlës. Mirsad Vitia është edhe familjar i afërt i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Nacionale për dy ditë me radhë ka tentuar të kontaktoj me asamblistin Vitia por nuk ka marrë përgjigje. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, mesazheve dhe pyetjeve me shkrim në Email, kontakti me Mirsad Vitinë ka qenë i pamundur.


Në mesin e kandidatëve për këtë pozitë kishte qenë edhe asamblisti Veton Zogaj, për të cilin Nacionale me mesazhe kishte raportuar se është punësuar në Ibër-Lepenc. Aty duket se ka aplikuar edhe bashkëshortja e tij, por këtë 'betejë' për vend të punës, del se e fitoi asamblisti koleg i bashkëshortit të saj.
Vitia nuk është i vetmi asamblist i Vetëvendosjes që u punësua në këtë konkurs. Kësaj shpallje, ‘hairin’ ia pa edhe kolegia e tij në Obiliq, Ajshe Haliti-Pllana.
Ajshe Haliti-Pllana që është asamblisti në Obiliq, është punësuar në pozitën Zyrtar i lartë i vlerësimit të cilësisë së trajnimit, raporton Nacionale.
Përderisa për këtë pozitë, fazën e parë të vlerësimit paraprak e kishin kaluar 14 persona, testin me shkrim e kaloi vetëm asamblistja e VV-së bashkë me një tjetër kandidate. Në fund, Haliti-Pllana u përzgjodh si kandidatja më e suksesshme. Paga për këtë pozitë, shkon në mbi 600 euro.
Nga sinjalizues të ndryshëm, Nacionale ka mësuar edhe informacione të tjera që ndërlidhen me këto procese në Institutin për Administratë Publike në kuadër të MPB-së.
Në konkursin për zyrtare të lartë të vlerësimit të cilësisë së trajnimit ku u punësua asamblistja e VV-së në Obiliq, në komision vlerësues ka qenë Vlora Kryeziu, punëtore e këtij instituti.
Pikërisht Vlora Kryeziu, në një tjetër konkurs së fundmi, është avancuar në pozitën e Udhëheqës së Divizionit për Vllerësim të Nevojave për Trajnim dhe Hartim të Kurrikulave në IKAP. Pra, vetë në komision, vetë e avancuar në një tjetër konkurs. Kjo kishte shtuar dyshimet te disa burime të Nacionales, se ka pasur një organizim të detajizuar të konkursit.

“Dyshimet janë që Vlora Kryeziu në konkursin për Zyrtare ka qenë në komision që ta mundësojë punësimin e asamblistes së VV-së, e në anën tjetër vetë është avancuar”, ka thënë një burim i afërt me zhvillimet për Nacionalen.
Edhe për këtë temë, Nacionale ka dërguar pyetje në Ministrinë e Brendshme, por pavarësisht pritjes 2-ditore, nuk kemi marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.