Përgjimi i Kusarit, tigri prej letre i Gërvallës: Pse Qeveria Kurti prodhon kaq shumë skandale?
Sot në Kuvendin e Kosovës ka shpërthyer dhuna. Përtej dhunës fizike, brenda pak kohe, pushtet i VV-së i prodhoi tre afera të mëdha. Ministria e Infrastrukturës ia dha një tender shokut të Hysen Durmishit, përgjimi i Mimoza Kusarit, që e publikoi Nacionale dhe “tigri prej letre” i Donika Gërvallës, janë skandalet e fundit të Qeverisë Kurti. Megjithatë, këto nuk janë të vetmet skandale, pasi kohë më parë kishte shpërthyer edhe skandali financiar i Martin Berishajt e afera e “Dostave të Liburnit”.
Le të fillojmë me aferën e Ministrisë së Infrastrukturës. Kompania Bageri, firmë të cilën Durmishi e ka pranuar që e ka këshilluar në të kaluarën, e mori një tender para disa jave në vlerë prej 8, 6 milionë euro. Durimishi e kishte pranuar që e ka shok të vjetër pronarin e kompanisë.
“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë.” - ka thënë Durmishi.
Ndërsa ministri Aliu e kishte aryetuar tenderin e nënshkruar nga Durmishi.
“Kemi pritur ankesa, nuk ka pasur të tilla, ka ardhur vetë zv.ministri edhe zyrtarët e tjerë dhe e kemi pa që nuk ka ankesa dhe kemi vazhduar me procedurat…Po të kishte ankesa do të merreshim me to me shumë kënaqësi. Nuk e di a ka punu Durmishi në këtë kompani, e di deklaratën që ka thënë se i njeh por nuk mund të flas për këtë relacion” – tha më tej ai.
Përgjimi i Mimoza Kusarit, që e publikoi Nacionale, është afera e dytë e kësaj jave e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë përgjim, Kusari e pranon se ka folur me Milan Radojiçiqin, kriminelin e sanksionuar nga ShBA-ja, e që dyshohet edhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit e frikësim të dëshmitarëve në rastin Brezovica. Mënyra se qysh Kusari dhe VV-ja zgjodhi të mbrohet është qesharake, por edhe banale.
“Nuk m’punon memoria, montim, video e cunguar” – ishin fjalët e Kusarit, e cila e ndryshoi dy-tri herë rrëfimin për bisedën me Radojiçiqin. Shefi i saj, pra Albin Kurti, shkoi një hap më tutje, tha “kujdes nga lufta hibride prej Serbisë”.
“Unë as që kam komunikuiar e takuar ndonjë herë me personin në fjalë. Ju lus që te keni kujdes sa i përket kësaj lufte hibride e cila bëhet nga Serbia kunder shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratike në Kosovës” – theksoi dje Kurti.
Ky përgjim, sot solli edhe një përleshje fizike në mes pushtetit dhe opozitës, e cila përleshje u denoncua nga të gjithë.
Ndërsa afera e tretë është një deklaratë e Donika Gërvallës, ku e qujti Bashkimin Evropian, tigër prej letre në aspektin e sigurisë.
“Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë.” – ishte shprehur Gërvalla.
Një deklaratë tillë u kritikua shumë nga opozita dhe analistët kritikë ndaj Qeverisë Kurti, madje edhe i ishte kërkuar dorëheqja Gërvallës.

