"Për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë", Osmani takohet me Sarrazinin - NACIONALE

"Për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë", Osmani takohet me Sarrazinin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin. Gjatë takimit është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani ka theksuar se “veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi.”

Më tej Osmani ka kërkuar sanksionimin e Serbisë pas sulmeve të djeshme për të cilat e para shtetit ka thënë se “cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

Komunikata e plotë:

Presidentja Vjosa Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.

Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe.

Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Në takim u diskutua po ashtu për rezultatet që priten nga Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë gjatë muajit tetor.

Lajme të ngjashme