Për çka kishte intervenuar NATO në Kosovë sipas VV-së së vitit 2010
Sot është 24 marsi, dita e nisjes [1999] së intervenimit të NATO-s që shenjoi edhe ardhjen e lirisë për Kosovën. Por, jo për të gjithë ajo shenjonte ardhjen e lirisë për vendin tonë. Më poshtë keni një komunikatë të Vetëvendosjes, që tashmë është hequr nga faqja zyrtare e kësaj partie, e që mban datën 2 qershor 2010.
Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme e bëri një shkrim në Facebook për nder të 23 vjetorit të Intervenimit të NATO-s.
“Sot, në këtë aktualitet të rëndë, kur po prodhohen viktima civile në një shtet të Evropës prej një aparati ushtarak shtetëror, ne mund të themi me siguri maksimale të ripërtërirë se data 24 mars 1999 është rikonfirmuar në vërtetësi.” – u shpreh ndër tjerash, z. Kurti.
Sidoqoftë, partia që udhëhiqej prej tij mendonte radikalisht ndryshe.
Në komunikatën e titulluar “Për çka ka intervenuar NATO në Kosovë?!” shprehen konstatime mjaft shqetësuese dhe që nuk përkojnë as për së afërmi me qëndrimin aktual të kryeministrit.
Gjuha e rëndë e përdorur ndaj këtij intervenimi, të shtyn të dyshosh edhe në vërtetësinë e tij por megjithatë ajo është pjesë e faqes zyrtare të partisë që udhëheq me vendin.
“... nuk është edhe aq e rëndësishme se a ka qenë ky intervenim legal, sa e rëndësishme është të zbërthehet se për çfarë në të vërtetë është bërë ky intervenim?! Është çliruar Kosova me intervenimin e NATO-s apo është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë?!”
Përveç pikëpyetjeve në qëllimet e aleatëve më të mëdhenj të Kosovës, Vetëvendosje e bënte NATO-n fajtore edhe për forcimin e spastrimit etnik të kryer nga forcat serbe.
“Nëse intervenimi i NATO-s është bërë kundër pastrimit etnik, siç edhe thotë Tzvetan Todorov, atëherë rezultati final, përkundrazi, ka qenë ai i forcimit të pastrimit etnik” – shkruhet në këtë komunikatë.
“...deportimi i afërsisht një milion njerëzve ka ndodhur pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe se pjesa dërrmuese e vrasjeve kundër civilëve ka ndodhur po ashtu pas fillimit të intervenimit të NATO-s.” – vazhdohet më tej.
Një tjetër pretendim i kësaj partie është se qëllimi i NATO-s nuk ishte çlirimi i Kosovës, por shtrëngimi i palës serbe që të pranonte planin e paqes.
Ja çka thoshte Henry Kissinger për këtë çështje: “Teksti i Rambouillet-së, që i bënte thirrje Serbisë të pranonte trupat e NATO-s në Jugosllavi, ishte provokim, ishte pretekst për të nisur bombardimet. Rambujeja ishte një dokument që as serbi më engjëllor s’mund ta kishte pranuar...”
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në shkurtin e vitit të kaluar kishte premtuar se kjo parti do t’i rikthente komunikatat e hequra në sajt por kjo deri tash nuk ka ndodhur!
Më poshtë lexojeni komunikatën e plotë nga Vetëvendosje të titulluar “Për çka ka intervenuar NATO në Kosovë?!”