Peci thotë se do të mbahet mend për luftim të korrupsionit, "harron" se i dha kontratë mbi 50 mijë euro bashkëpartiakut - NACIONALE

Peci thotë se do të mbahet mend për luftim të korrupsionit, "harron" se i dha kontratë mbi 50 mijë euro bashkëpartiakut

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci, ka dhënë fjalë të mëdha për tri vitet e para si ministër. Ai ka thënë se do të mbahet mend për luftimin e krimit dhe korrupsionit në dikasterin e tij. I pari i bujqësisë duket se ka harruar se në qershor të vitit 2022 i ka dhënë kontratë mbi 50 mijë euro anëtarit të Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, Njazi Ajvazi.

Agjencia Pyjore e Kosovës (APK) që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), i ka dhënë kontratë me vlerë 54 mijë euro Njazi Ajvazit, i cili është anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë. Kontratën që e kishte siguruar gazeta Nacionale tregon se bëhet fjalë për marrjen e një lokali me qira për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.

Po në këtë vit, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila po ashtu vepron në kuadër të dikasterit që drejton Peci, kishte punësuar motrën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Megjithatë, ministri Peci pretendon se ka luftuar fort korrupsionin dhe nepotizmin në dikasterin e tij.

Gjatë një interviste në ATV, ai është lavdëruar për punën e tij.

“Do të mbahem mend, posaqërisht te fermerët, që janë rreth 30 mijë. Në radhë të parë, do të mbahen mend për luftim të krimit dhe korrupsionit, e dyta, për vendosjen e meritokracisë dhe e treta, për rezultatet që janë evidente”, ka thënë Peci.

Ai ka përmendur raste të abuzimeve dhe uzurpimet në këtë sektor.

“Nuk di që ka pasur ministri më herët që ka denoncuar më shumë raste të abuzimeve financiare, uzurpimeve, e tjetërsimit të aseteve shtetërore”, është shprehur Peci.

Çka parasheh kontrata që iu dha zyrtarit të partisë Guxo?

Në Qershor të vitit 2022, gazeta Nacionale ka raportuar se Agjencia Pyjore e Kosovës (APK) që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR),i ka dhënë kontratë me vlerë 54 mijë euro Njazi Ajvazit, i cili është anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë.

Kjo kontratë ishte dhënë pavarësisht ankesave punëtorëve të kësaj zyre se objekti nuk i plotëson kushtet e nevojshme për punë.

Kontrata, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, ka të bëjë me marrjen e një lokali me qira për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.

Kontrata parasheh që Agjencia Pyjore e Kosovës, Ajvazit do t’ia paguajë 900 euro në muaj, për një kohëzgjatje prej 5 vitesh. Kontrata parasheh edhe mundësinë e vazhdimit të saj.

Sipas nenit të parë të kontratës, qiradhënësi (Ajvazi) i jep me qira qiramarrësit (KAP) zyrat të cilat gjenden në Mitrovicë, rruga “Shala e Bajgorës”, të cilat do të shfrytëzohen për zyrat për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.

Në nenin 4 të kontratës, thuhet se qiraja fillon të rrjedhë prej datës 1 korrik dhe do të zgjasë deri më 30 qershor të vitit 2027.

Burimet e gazetës Nacionale brenda ministrisë kishin treguar se në fitimin e kësaj kontrate kishte pasur ndikim vetë Ministri Faton Peci, i cili përmes Zëvendes-kryeshefit të APK-së, Bekim Hoxha, kishte ushtruar presion mbi komisionin vlerësues.

Vet Njazi Ajvazi kishte pranuar se e kishte marrë kontratën në fjalë.

Megjithëse në një prononcim për gazetën Nacionale ai e kishte mohuar se është zyrtar në partinë e Pecit, dokumentet e siguruara nga gazeta dëshmonin të kundërtën.

"Rehatimi" i motrës së Sveçlës

Po të njëjtin vit, gazeta Nacionale ka raportuar se në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë ishte punësuar Magbule Hyseni, motra e Ministrit Xhelal Svecla.

Sipas dokumentit që ka siguruar Nacionale, Magbule Hyseni është emëruar në pozitën “zyrtar i lartë i pagesave direkte” në Drejtorin e Pagesave Direkte të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, agjenci kjo që vepron në kundër të ministrisë së Bujqësisë.

Ndonëse ministri Peci kishte mohuar se zyrtarja në fjalë është staf civil i ministrisë, dokumentet tregojnë të kundërtën.

Në bazë të akt emërimit, që e ka siguruar gazeta, marrëdhënia e punës për Hysenin ka filluar më 1 shkurt 2022.

Ndërsa, pika 3 e akt-emërimit tregon se ajo tashmë është staf i përhershme i ministrisë.

Lajme të ngjashme