PDK: Vota e qytetarëve është e shenjtë, çdo cenim apo manipulim i votës është i papranueshëm - NACIONALE

PDK: Vota e qytetarëve është e shenjtë, çdo cenim apo manipulim i votës është i papranueshëm

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit të votave, duke shprehur vëmendje të shtuar ndaj parregullsive të raportuara në disa komuna. Përmes një deklarate zyrtare, PDK ka theksuar se çdo tentativë për tjetërsimin e vullnetit qytetar është një goditje ndaj demokracisë.

Subjekti politik ka bërë të qartë se standardi i tyre mbetet trajtimi i barabartë dhe i kujdesshëm i çdo vote, deri në certifikimin final. PDK u ka bërë thirrje organeve kompetente, përfshirë KQZ-në, që të zbardhin çdo dyshim, duke garantuar se rezultati përfundimtar do të jetë pasqyrë e saktë e vullnetit të sovranit.

Komunikata e plotë e PDK-së:

Partia Demokratike e Kosovës po e përcjell me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të Kosovës.

Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkel parimet demokratike që ne mbrojmë.

Standardi ynë është i qartë dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.

Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin.

Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e palëkundur për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektimin e votës së qytetarëve.

Lajme të ngjashme