PDK-ja lë jashtë Fatmir Limajn për tash, dhe ia teston mbështetjen: Kryesia vendos kundër përfshirjes në listë - NACIONALE

PDK-ja lë jashtë Fatmir Limajn për tash, dhe ia teston mbështetjen: Kryesia vendos kundër përfshirjes në listë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës vendosi të mos e përfshijë Fatmir Limajn në listën e saj zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.

Çështja nuk u hodh as në votim. Brenda kryesisë nuk ka pasur disponim për të pranuar kërkesën e kreut të NISMA-s Socialdemokrate.

Pas mbledhjes, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi vendimin e shumicës.

"Unë po ju siguroj që pjesa dërmuese me unanimitet që të veprohej në këtë mënyrë," tha Hamza.

Ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, por qartësoi se "kësaj radhe nuk do të ketë të përfshirë në listë të PDK-së."

"Është qëndrim i përgjithshëm që e presim dhe e mirëpresim kontributin e zotit Limaj, të Nismës Socialdemokrate që në këto zgjedhje do t'ia japin PDK-së," shtoi Hamza.

Kësisoji, siç edhe mëson Nacionale nga burime brenda Kryesisë, PDK po sheh edhe “t’ia testojë” mbështetjen që Limaj është vokal ta ketë ndaj PDK-së.

Dhe, në zgjedhjet e ardhshme, të ketë modalitet për “shkrirje” të Nismas në PDK.

Limaj kishte formalizuar kërkesën me një letër drejtuar Hamzës, duke e paraqitur ofertën si "akt të përgjegjësisë opozitare."

Në emisionin "Debat Plus", ai kishte deklaruar: "Jemi të interesuar të bashkohemi dhe të shkrihemi në një formacion të përbashkët."

Ai kishte vlerësuar se sinergija mes dy subjekteve mund t'i siguronte PDK-së deri në 40 mijë vota shtesë.

"Besoj që 40.000 vota, 30.000 vota i merr shtesë për shkak të sinergjisë," kishte thënë Limaj.

NISMA Socialdemokrate nuk u regjistrua si subjekt i pavarur për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Limaj kishte paralajmëruar opozitarizëm jashtë parlamentit nëse nuk arrihet marrëveshje.

"Këto s'janë zgjedhje për ne, janë rivotim," kishte deklaruar ai.

Brenda PDK-së, zërat pro Limajt kishin ardhur kryesisht nga rajoni i Drenicës. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ishte shprehur hapur për pranim.

"Jo vetëm Fatmiri, por çdo veprimtar e kontribues i lirisë dhe ndërtimit të Kosovës, e ka vendin në PDK," kishte thënë Lladrovci.

Pas vendimit të Kryesisë, Lladrovci reagoi menjëherë duke e cilësuar situatën si ndikim të jashtëm mbi vendimmarrjen e partisë.

"U ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së. Kreatorët e kësaj fryme nuk po i bëjnë shërbim Kosovës e as PDK-së," shkroi ai.

Edhe ish-deputeti Mërgim Lushtaku kishte deklaruar mbështetje të hapur: "Po të varej nga unë, kjo çështje do të ishte e kryer, sepse qëndrimi im ka qenë dhe mbetet PËR."

Vendimi vjen ndërsa në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, NISMA mblodhi rreth 15 mijë vota.

Lajme të ngjashme