PDK ‘ia rrëzon’ Vetëvendosjes propagandën rreth Ligjit për Amnistinë me Nenin 4
Deklarata e deputetëve të Vetëvendosjes se Ligji për Amnistinë, ‘fali edhe veprat penale të vrasjes’ – demantohet lehtë me Nenin 4 të këtij Ligji, thonë deputetët e PDK-së. Sipas tyre, propaganda e Vetëvendosjes rreth këtij ligji ‘është një gënjeshtër e organizuar prej Albin Kurtit’.
“Deputetët nga opozita që e kanë votuar Zajednicën, Demarkacionin, Amnistinë e kriminelëve serbë, që e kanë votuar Gjykatën Speciale, por thonë “Albulena s’bën” ose “Albini është problem”. Kështu deklaroi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti më 2 korrik në një intervistin për televizionin 1”.
Një deklaratë të tillë, në një seri intervistash e ka përmendur edhe nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca.
E Vetëvendosje, sot para se Kuvendi të provonte për herën e 45-të konstituimin, mbajti konferencë për media në ambientet e Kuvendit, për këtë temë.
Sipas dy deputetëve të Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu dhe Artan Abrashi, 11 korriku shënon 12 vjetorin e kalimit të Ligjit për Amnisti në Kuvendin e Kosovës dhe sipas tyre, ‘ky ishte një kompromis i dëmshëm dhe një gabim historik’.
Deputetja e LVV-së, Arberesha Kryeziu, tha se Ligji kishte dalë si rezultat i marrëveshjes së arritur më 27 qershor 2013 ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit dhe se ai kishte krijuar bazën për ‘amnistimin e kriminelëve serbë’.
“Sot, më 11 korrik, bëhen 12 vite prej kur Kuvendi, nën kundërshtimin e VV, mori vendim të dëmshëm për të mundësuar votimin e ligjit për amnisti, ligj ky që doli si kompromis nga negociatat me Serbinë, përkatësisht marrëveshja që u arrit më 27 qershor 2013, e ashtuquajtur marrëveshja për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë, në atë kohë e negociuar nga Thaçi dhe Daçiq. Kjo marrëveshje që hidhte farën e asociacionit të komunave me shumicë serbe, me vete mori edhe obligimin që mundësoi amnistimin e kriminelëve serbë. Votimi i tij ishte një kompromis i dëmshëm dhe një gabim historik”, tha deputetja e VV-së.
Deputeti tjetër i VV-së, Artan Abrashi, tha se ky Ligj ishte miratuar në përvjetorin e Masakrës së Srebrenicës dhe se kjo përbënte një ‘ironi tragjike’.
“Ky projektligj, si për ironi, u votua kur Ballkani edhe Evropa shënojnë ditën e masakrës më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore – atë të Srebrenicës. Teksa atje po shënohej një krim i Serbisë, këtu në Kosovë po falje një tjetër. Se ligji për amnisti nuk solli asnjë ndryshim në veri të vendit, nuk ka dëshmi më të madhe se sa katër vitet e qeverisjes sonë”, tha Abrashi.
PDK: Vetëvendosje me propagandë të organizuar, po shpif për Ligjin
Për Partinë Demokratike të Kosovës, deklarimet publike të Vetëvendosjes së fundmi rreth Ligjit për Amnistinë, janë ‘gënjeshtër e pastër’.
Përparim Gruda, deputet i PDK-së, thotë se Kryeziu dhe Abrashi po gënjenë, kur thonë se me ligj ‘janë falur edhe veprat penale të vrasjes’ dhe se kjo demantohet nga Neni 4 i Ligjit për Amnistinë.

“LVV po vazhdon të gënjejë publikisht lidhur me Ligjin Nr. 04/L-209 për Amnistinë.
Deputetja Arbrësha Kryeziu dhe deputeti Artan Abrashi, në emër të kësaj partie, kanë mashtruar opinionin duke thënë se me këtë ligj janë falur edhe veprat penale të vrasjes” – shkruan Gruda dhe e quan ‘tërësisht të pavërtetë këtë’.
‘Kjo është tërësisht e pavërtetë. Neni 4 i ligjit e përcakton qartë se nga amnistia përjashtohen veprat penale që kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore ose me vdekje.
Ky manipulim i përsëritur disa herë nga LVV është i lehtë për t’u demantuar, mjafton ta lexoni vetë nenin 4 të ligjit dhe do ta shihni të vërtetën’, shkruan Gruda.
Gënjeshtër – e quan këtë deklarim edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra.
“Gënjeshtrën që e nisi Albin Kurti, sot e vazhduan deputetët e tij, Arbrësha Kryeziu dhe Artan Abrashi.
Të gjithë në kor po shpërndajnë një të pavërtetë të plotë lidhur me Ligjin për Amnistinë, duke thënë se ai ka falur edhe vrasje. Por e vërteta është fare e thjeshtë:
Neni 4 i ligjit e përjashton qartë çdo vepër që ka shkaktuar vdekje apo lëndime të rënda”, shkruan Deliu.
Ajo thotë se kjo është shpifje e pastër dhe ‘propagandë e organizuar’.
“Kjo nuk është as keqkuptim dhe as mungesë informacioni. Është shpifje e pastër.
Dhe më keq akoma, është propagandë e organizuar, që synon të mashtronte publikun për t’i mbuluar dështimet e pushtetit aktual’, shkruan Deliu.