PDK e refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim - NACIONALE

PDK e refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka konfirmuar se ka pranuar një ftesë për takim nga presidentja Vjoa Osmani, pas iniciativës së kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, Krasniqi ka bërë të ditur se të njëjtën e ka refuzuar, për shkak të “heshtjes dhe neglizhencës së Osmanit në obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar”.

“Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët. Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim.” – ka thënë ai.

Krasniqi ka publikuar edhe përgjigjen e plotë ndaj presidentes Osmani.

Nacionale raportoi sot gjatë ditës për këtë ftesë të presidentes Osmani ndaj partive opozitare, për një takim të mundshëm.

Gjatë seancës së sotme, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka kërkuar që presidentja të thirrë një takim pas zhvillimeve shqetësuese në raport me marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj më të mëdhenj, BE-në dhe ShBA-në.

Masa ndëshkuese janë paralajmëruar si nga BE-ja, ashtu edhe nga ShBA-ja, për shkak të veprimeve që i shohin si destruktive të Qeverisë Kurti.

Lajme të ngjashme