PDK e LDK sërish i drejtohen Kushtetueses: Kërkojnë shqyrtimin e dy ligjeve dhe statutit të UP-së
Veç e veç, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ia mësynë Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën gjë.
Dy partitë më të mëdha opozitare në vend, PDK dhe LDK dërguar këtë javë dy ligje dhe një statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Bëhet fjalë për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe vendimin për Statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ani pse veprimet ishin të njëjta, dy partitë nuk u bënë bashkë në këtë rast.
Të enjten, Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe vendimin për Statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës kemi proceduar tri beteja të reja në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës konsideron që tri nismat e fundit të miratuara në Kuvendin e Kosovës, dy prej tyre Ligje dhe një prej tyre vendim, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.” – ka thënë Abelard Tahiri para mediave.

Për Ligjin për KPM-në, tha se përmes tij synohet kontrollimi i mediave dhe të cenohet fjala e lirë në vendin tonë.
“Përmes këtij Projektligji tentohen të kontrollohen edhe personat fizik, të cilët prodhojnë kontentet e tyre të cilat synojnë t’i shpërndajnë qoftë përmes mediave, qoftë përmes rrjeteve sociale.” – ka thënë ai.
Kurse, për Ligjin për KPM-në, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se konsiderojnë që përmes këtij Projektligji pushteti po synon të kapë sistemin prokurorial.
Ndërsa, për statutin e UP-së, tha se konsiderojnë që është nismë që bie ndesh me Kushtetutën.
Lidhja Demokratike ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese dy ligje dhe një vendim të Qeverisë Kurti.
Një ditë pas, pra të premten, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi shkoi në Gjykatën Kushtuese dhe e bëri të njëjtin dorëzim.
Gashi para mediave tha se presin nga Gjykata që këto ligje të shpallen antikushtetuese.
“Në vazhdën e kujdesit ndaj demokracisë, sot dorëzuam në Kushtetuese tri kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), atij për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), si dhe për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për ndryshimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës.” – ka thënë Gashi.

Kujtojmë se, tri javë më parë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar tërësisht Ligjin Për Byronë e Konfiskimi të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ky ka qenë njëri ndër ligjet kryesorë të proklamuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pra kjo i bie se ligji duhet të shkruhet edhe njëherë nga fillimi. Proces ky që do të zgjaste përtej mandatit të mbetur të kësaj qeverie.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO46/23, me parashtrues Abelard Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese bazuar në autorizimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.