Gërvalla thotë se ka përpjekje për ta përçarë me Albin Kurtin por mohon se mendon ndryshe nga ai
Nuk i ka as tri javë kohë që kur krye më vete i tha medias portugeze “DN” se “nuk ka marrëveshje me Serbinë” ndonëse ujdia përshëndetej nga e tërë hemisfera perëndimore e botës. Donika Gërvalla, ministrja e jashtme, tash thotë për “Kosovapress” se është “pjesë e të gjitha proceseve”. Ajo mohon se ka qëndrime të ndryshme nga shefi i saj politik, Albin Kurti.
Madje, tha ajo, “ka përpjekje për t’na përçarë” derisa koalicionin mes partisë minore Guxo dhe Lëvizjes së kthyer në parti, Vetëvendosjes, e vlerësoi për “stabil”.
“Janë naive”, thotë Gërvalla për ato që i quan “përpjekje për t’na përçarë”.
“Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të Kryetarit të Kuvendit. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur”, shprehet kryediplomatja.
Çfarë tha Gërvalla për Marrëveshjen?
Perëndimi e përshëndeti Marrëveshjen për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e cila ndonëse pa nënshkrim u ngrit në nivelin e një marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për palët. Por, Gërvalla, për befasi, doli i demantoi të gjithë. Shefin e saj, ShBA’në, BE-në, etj.
“Nuk ka marrëveshje”,tha ajo më 22 mars për gazetarin Leonido Paulo Ferreira.
“Nga ana jonë, ne ishim dy herë, një herë në 27 shkurt dhe më pas fundjavën e kaluar, gati për një marrëveshje, me garancitë që partnerët dhe aleatët tanë – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – na dhanë për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çuditërisht Serbia nuk ishte gati për këtë”, vazhdon ajo.
“Ata thjesht vazhdojnë lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe kohëve të ndryshme dhe më pas, kur afrohet firma, refuzojnë”, derisa shtoi edhe se “Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson”./Nacionale/