Pas sulmeve mbi EULEX-in në veri reagon Rama, BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka dënuar sulmet ndaj EULEX-it dhe policisë së Kosovës në veri të vendit.
Sipas Ramës, vendosja e barrikadave në veri të vendit bie ndesh më çdo ligj e çdo frymë dialogu.
"Sulmet mbi EULEX-in, janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!", tha Rama
Rama ka mirëpritur shtyrjen e zgjedhjeve nga ana e Presidencës, duke thënë se edhe Beogradi do të duhej të i përgjigjej këtij sinjali kuptimplotë në të njëjtën mënyrë.
"Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizues!", ka thënë Rama
Ai i ka bërë thirrje BE-së, që të organizojë sa më parë të thërras një takim për dialogun.
"Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilat do qofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut", tha ai
Sulmet mbi @EULEXKosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!
— Edi Rama (@ediramaal) December 11, 2022