Pas rënies së madhe të vitit të kaluar, Kosova ngritet në lirinë e mediave: BE i kërkon qeverisë “të ruajë këtë përparim” - NACIONALE

Pas rënies së madhe të vitit të kaluar, Kosova ngritet në lirinë e mediave: BE i kërkon qeverisë “të ruajë këtë përparim”

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Kosova sivjet ka shënuar përmirësim në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u ngjitur në vendin e 84-të me 55.89 pikë.

Ngritja vjen pas rënies alarmante të një viti më parë, ku Kosova kishte rënë më së poshti në rajon.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e pa këtë zhvillim si kthesë pozitive pas një periudhe të vështirë për mediat.

Raporti vlerëson edhe punën e gjyqësorit.

Në njoftim thuhet se “Kosova ka shënuar ngritje në Indeksin vjetor të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij, pas rënies alarmante një vit më parë”.

Sipas raportit, faktor i rëndësishëm është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Komisionit të Pavarur për Media, i konstatuar si reformë antikushtetuese, që qe shtyer para nga Qeveria e Kosovës.

Raporti thekson se gjyqësori po i trajton rastet e gazetarëve me prioritet, megjithëse presioni ligjor nuk është zhdukur.

Një problem i vazhdueshëm mbetet përdorimi i padive SLAPP nga biznese dhe politikanë ndaj gazetarëve investigativë.

Raporti përshkruan një mjedis ku gazetarët punojnë, por mbeten objekt sulmesh politike dhe diskreditimi publik.

“Edhe pse gazetarët me sukses punojnë për t’i mbajtur politikanët përgjegjës, ata vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike”, thuhet në raport.

Po ashtu theksohet se media e pavarur shpesh përballet me etiketime si “punojnë për armikun”, të përhapura në rrjete sociale.

Raporti përmend edhe bojkotet ndaj mediave private para zgjedhjeve të vitit 2025 nga Qeveria.

Gjithashtu, është ngritur shqetësimi për presion ndaj transmetuesit publik RTK dhe ndikim politik në pavarësinë e tij.

Sipas vlerësimit të Reporterëve pa Kufij, tregu medial në Kosovë mbetet i kufizuar nga madhësia e vogël dhe ndarjet etnike.

Ndërkohë, BE-ja e ka cilësuar ngritjen prej 15 vendesh si sinjal pozitiv për vendin.

Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, deklaroi se “është inkurajuese të shohësh Kosovën të ngjitet për 15 vende”.

Ajo shtoi se ky progres duhet të mbrohet institucionalisht: “Ky progres tani duhet të ruhet nga zyrtarët publikë dhe establishmenti politik”.

BE-ja ka konfirmuar se do të vazhdojë mbështetjen për mjedisin mediatik në Kosovë.

Megjithatë, raporti paralajmëron se liria e medias mbetet e brishtë.

Ai përmend “rregullim të politizuar, SLAPP, qasje të dobët në informacion dhe rreziqe për sigurinë e gazetarëve”.

Në aspektin social, gazetarët vazhdojnë të jenë objekt i dezinformimit dhe sulmeve në rrjete sociale.

Ata shpesh akuzohen pa bazë për bashkëpunim me “armikun”, gjuhë kjo e përdorur nga grupe politike dhe fetare.

Edhe pse nuk ka pasur vrasje të gazetarëve që nga viti 2005, trashëgimia e pandëshkueshmërisë së pasluftës mbetet.

Raporti thekson gjithashtu raste kërcënimesh, sulmesh fizike dhe survejimi ndaj gazetarëve në vitet e fundit.

Në anën tjetër, partia në pushtet Vetëvendosje e ka cilësuar ngritjen si dëshmi të progresit të lirisë së shtypit.

Sipas saj, ndikimi i grupeve të biznesit në media mbetet një problem i vazhdueshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht.

Në deklaratën e saj thuhet se redaksitë private janë të ekspozuara ndaj “ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesore”.

Lajme të ngjashme