Pas raportimeve për policët në veri, Policia lëshon një komunikatë
Tashmë mund të jenë bërë afër 80 orë që policë të Kosovës në veri të vendit nuk janë ndërruar nga kolegët e tyre për shkak të pamundësive logjistike. Policia ka nxjerrë një komunikatë në të cilën... nuk ofrohen informacione të qarta.
Në këtë komunikatë thuhet se “Policia e Kosovës, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me kohë ndërmerr... masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë.”
Nacionale nuk ka arritur ta konfirmojë këtë pretendim të Policisë së Kosovës në mënyrë të pavarur.
Pretendimet për mos-ndërrimin e policëve fillimisht i bëri deputetja Ganimete Musliu që denoncoi pushtetin për një gjë të tillë.
Megjithatë, është raportuar se gjatë ditës së djeshme ishte tentuar që të bëhej ndërrimi i personelit policor të mëhershëm por se një gjë e tillë nuk ishte arritur.

Nuk dihet nëse ka pasur tentime shtesë, apo nëse është realizuar një gjë e tillë.
