Pas kritikave të Brukselit, Rama tërhiqet nga “Pasaportat e Arta”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije sot se është tërhequr nga nisma për “Pasaportat e Arta”.
Në konferencë të përbashkët për media me shefin e diplomacisë së BE-së, Josef Borreli dhe komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi, Rama ka thënë se Shqipëria e ka pezulluar këtë proces.
“E kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel evropian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE-së që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Evropiane. Nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do përfundojë çështja në Gjykatën Evropiane. Nëse Gjykata Evropiane do të vendosë kundër pasaportave të arta kjo është një çështje e mbyllur. Nëse Gjykata Evropiane do të vendosë pro, atëherë sigurisht çdo vend do bëjë zgjedhjen e vetë. Jep garanci se ajo nuk do të avancojë”, ka thënë Rama.
Një gjë të tillë e ka mirëpritur Josef Borrel.
“Ne patëm mundësi të mirëpresim deklaratën e Ramës që skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej dhe kemi trajtuar edhe çështje të tjera e veçanërisht polarizimin e mjedisit politik në vend”, ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së, i cili po qëndron për një vizitë në Tiranë.
Në vitin 2019, kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar fillimin e këtij procesi, duke thënë se Shqipëria do të ofronte “Pasaporta të Arta” për të gjithë ata shtetas të huaj që do të investonin një shumë të caktuar parash në Shqipëri.
Një gjë e tillë ishte kritikuar ashpër nga BE-së. Sipas BE-së, një skemë e tillë mund të sillte pastrim parash, evazion fiskal dhe gjera të tjera negative.