Pas Edi Ramës edhe Abazoviq mbështet “Ballkanin e Hapur”, Kurti dhe Osmani mbeten vetëm
Kryeministri i sapo zgjedhur i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka treguar që Ballkani i hapur është shtyllë e politikës së jashtme amerikane. Megjithatë, Kosova vazhdon të mbetet jashtë.
Abazoviq, që dje mori besimin e 45 deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi, para se të zgjidhej në postin e kryeministrit, e kishte bërë të qartë se ai dhe partia e tij nuk e kundërshtojnë iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.
Pas Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, Abazoviq bëhet i dyti kryeministër me prejardhje shqiptare që e pranon këtë mekanizëm rajonal. Natyrisht, kryeministri dhe presidentja e Kosovës, ende nuk kanë ndryshuar mendim për këtë temë.
Me Abazoviq si timonier i Qeverisë së Malit të Zi, duket se vetëm Kosova e Bosnja do të mbesin kundërshtare të “Ballkanit të Hapur” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në deklarime të ndryshme publike, Abazoviq e konsideronte “Open Balkan” si një nga tri shtyllat e politikës së jashtme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, krahas BE-së e NATO-s, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është nismë qendrore e amerikanëve.
Edhe partia e tij e njohur si Lëvizja Qytetare “Aksioni i Bashkuar Reformist”, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Tëitter”, ka sqaruar qëndrimet rreth politikës së jashtme përfshirë “Open Balkan”.
“Ne do të shqyrtojmë iniciativat rajonale. Ekzistojnë tri shtylla të politikës së jashtme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor: BE, NATO dhe Ballkan i Hapur”, thuhej në postim.
Ndërsa, kryeministri Rama është përkrahës i madh i “Ballkanit të Hapur”. Madje, ai si udhëheqës i Shqipërisë është njëri ndër themeluesit e këtij plani që përkrahet edhe nga Bashkimi Evropian e ShBA.
Rama shumë herë e ka përsëritur se “Ballkani i Hapur” është përveç një nismë gjithëpërfshirëse, është edhe një aspiratë.
"Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të jetësuar Procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit, ku adresohet në mënyrë praktike domosdoshmëria që piketat e mbetur në letër të Procesit të Berlinit të transformohen në kilometra të bëra bashkërisht drejt realizimit të vizionit të këtij procesi, si dhe adresohen po ashtu nevojat e drejtpërdrejta të qytetarëve, të prodhuesve, të përpunuesve apo të tregtuesve të këtij vendi", shprehej Rama.
Por, është një kryeministër tjetër shqiptar që është shumë këmbëngulës në kundërshtimin e tij ndaj “Ballkanit të Hapur”.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, shumë herë e ka përsëritur faktin se për të “Ballkani i Hapur” është një nismë jo e qëlluar.
Për më shumë, në deklarime të ndryshme publike, Kurti e cilësonte “Open Balkan” si të hapur për korrupsion, kriminelë të luftës dhe kundërshtim të demokracisë evropiane.
“Ballkani i Hapur” është më shumë si “Ballkani i Hapur” ndaj ndikimeve nga lindja, veçanërisht nga ato ruse. Federata dhe Kina, si dhe të hapura ndaj korrupsionit, kriminelëve të luftës, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ne duhet të jemi të hapur ndaj Bashkimit Evropian, jo të hapur ndaj Federatës Ruse dhe Kinës”, tha Kurti.
Edhe Presidentja Vjosa Osmani vazhdon të mbajë qëndrim refuzues ndaj “Ballkanit të Hapur”, të cilën e ka quajtur si hap të “rrezikshëm”.
“Ne besojmë fuqimisht se nga pikëpamja e sigurisë nga pikëpamja politike dhe ekonomike, si dhe nga pikëpamja e integrimit në BE, Ballkani i Hapur është absolutisht gjëja më e gabuar që duhet bërë për rajonin”, ka thënë Osmani.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së dhe udhëheqës i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, është gjithashtu përkrahës i "Ballkanit të Hapur", teksa shteti maqedon është njëri nga themeluesit e këtij mekanizmi rajonal.
Ndryshe, ShBA-të janë shprehur në favor të “Ballkanit të Hapur”. Emisari Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thoshte se ShBA përkrah planin gjithëpërfshirës të kësaj nisme rajonale.
“Përkrahim planin e Ballkanit të Hapur, gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sigurojë qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit e shërbimeve”, sqaronte kohë më parë Escobar.
Kujtojmë që në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndihmës-sekretarja Karen Donfried theksoi se “Ballkani i Hapur” është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.