Pas Bërnjakut, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë
Pas Bërnjakes është mbyllur edhe pika kufitare në Merdarë, kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Sveçla ka thënë se pika kufitare në Merdarë mbyllet pasi që ekstremistët e maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë
“Mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë.” – ka shkruar Sveçla.
Ai tutje ka thënë se pikat kufitare Merdarë dhe Bërnjakë do të jenë të mbyllura deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës.
“Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës.” – ka shkruar ai në Facebook.
Pak më parë, ministri Sveçla kishte njoftuar për mbylljen pikës kufitare në Bërnjakë.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.” – kishte thënë ai.
Tutje, Sveçla po ashtu ka konfirmuar se pika kufitare në Bërnjak është mbyllur për qarkullim.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne.
Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”.
Nga ana tjetër, kryediplomatja Donika Gërvalla u ka bërë thirrje BE-së dhe ShBA-së që të reagojnë kundër hapit të ardhshëm të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Duke folur për zhvillimet e sotme në Bërnjak, ajo fillimisht ka thënë:
“Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë makinat me regjistrim gjerman dhe nuk i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiqit po e mbështet atë përshkallëzim racist, duke parë dhe duke mos bërë asgjë”.
Tutje, Gërvalla ka shtuar se Vuçiq po mashtron Gjermaninë dhe BE-në, dhe se shpreson që kjo e para, të kërkojë lëvizjen e lirë, pavarësisht litiumit.
“Vuçiq vazhdon të mashtrojë Gjermaninë dhe BE-në, duke vazhduar eskalimin. Shpresojmë që Gjermania të kërkojë lëvizjen e lirë, pavarësisht litiumit.” – tha ajo.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës kërkoi veprim nga BE e ShBA që Vuçiq të ndalet para se të nis luftë.
Across the 🇽🇰 border at Bërnjak, masked Serbs are stopping cars with 🇩🇪 registration and don't let Albanians through. Vucic's police is supporting that racist escalation, watching and doing nothing. pic.twitter.com/3I05E43mQo
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) September 6, 2024
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se pikat kufitare Jarinë, Bërnjak dhe Merdarë janë të bllokuara për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Sipas këtyre të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të MPB-së, në këto tri pika që qojnë për në Serbi thuhet se hyrje-daljet janë të bllokuara për shtetasit me dokumente të Republikës së Kosovës.