Partitë në Maqedoninë e Veriut refuzojnë idenë e Asociacionit të Komunave Shqiptare
Në Maqedoninë e Veriut kanë filluar të shtohen zërat për një kërkesë prë asociacion të komunave shqiptare, sikurse kërkonë serbët në Kosovë.
Së fundmi, këtë kërkesë e ka bërë Partia Alternativa në Maqedoninë e cila kërkon iniciativë për themelimin e këtij Asociacioni.
“Në kohën kur Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe kur secili diplomat perëndimor që shkon në Prishtinë e përsërit refrenin ‘të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë’, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ka deklaruar Zeqirja Ibrahimi nga partia “Alternativa”, - shkruan Radio Evropa e Lirë.
Mirëpo, përveç Lëvizjes Besa, të cilët kanë deklaruar se do ta shqyrtojnë këtë propozim, partitë tjera shqiptare e kanë refuzuar një gjë të tillë.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë thënë se një propozim i tillë është “anti-perëndimor” dhe i dëmshëm për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
“Një propozim i tillë është patetik, antiamerikan dhe antievropian, është i dëmshëm për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Përpjekje e pasuksesshme për të mbijetuar në skenën politike pas fiaskos dhe rreshtimit krejtësisht të gabuar dhe destruktiv”, - thuhet në reagimin partisë që drejtohet nga Ali Ahmeti.
Ndërkaq, Lidhja Social-Demokrate thotë se komunat në Maqedoninë e Veriut kanë të drejtë bashkëpunimi andaj nuk kanë nevojë për asociacione, apo forma tjera të bashkimit.
“Situata në Kosovë nuk mund të pasqyrohet në vendin tonë, në asnjë mënyrë. Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Bashkëpunim Ndërkomunal, bashkëpunimi ndërmjet komunave në Maqedoninë e Veriut është absolutisht i mundshëm. Çdo komunë mund të bashkëpunojë në çfarëdo forme, kur gjen interesim për një temë të caktuar. Ne e konsiderojmë këtë kërkesë si joserioze, që të mos përdoret për të fituar pikë politike dhe është e papranueshme”, ka deklaruar Sanela Shkrijel nga Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit, Dimitar Kovaçevski.
E për kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, beson se një ide e tillë mund të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe se raportet dhe të drejtat e bashkësive etnike, në veçanti të asaj shqiptare janë të rregulluara me Marrëveshjen e Ohrit.
Kurse parti më të vogla maqedonase, propozimin e Alternativës e kanë quajtur “ide nacionaliste që dëmton perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”.
Në Kosovë kërkohet me ngulm
Gjersa në Maqedoninë e Veriut nuk gjenë përkrahje ideja për një asociacion, Kosovën tashmë e ndajnë orët prej kur kjo çështje përfundimisht mund të merr një kahje tjetër.
Takimi i nesërm Kurti – Vuçiq në Bruksel po konsiderohet të jetë shumë i rëndësishëm në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E megjithatë, ende pa nisur ai takim, presioni për Asociacionin nga ndërkombëtarët është shtuar.
Gjatë ditës së sotme, Zyra e Kryeministrit lëshoi një komunikatë ku tregonte se Kurtit i kishte ardhur një letër. Ishte një letër e shkruar së bashku nga tre liderët e tri shteteve më të forta të BE-së: Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Pra, bëhej fjalë për presidentin Macron, kancelarin Scholz dhe kryeministren Meloni.
Në këtë letër përmendet në mënyrë të qartë dhe eksplicite Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Megjithëse në këtë letër thuhet “pa asnjë kusht”, duhet të kujtojmë se në seancën e 2 shkurtit, kryeministri Kurti kishte vendosur plot gjashtë kushte për ta konsideruar Asociacionin.
Në anën tjetër, Asociacionin Kurtit ia ka përmendur edhe nënsekretari amerikan Derek Chollet.
Pala serbe?
Serbia në anën tjetër konsideron që nuk do të ketë negociata shtesë në lidhje me propozimin franko-gjerman.
“Me eskalimin e situatës në Ukrainë, fokusi i komunitetit ndërkombëtar dhe përpjekjet për të zgjidhur statusin e provincës tonë jugore janë rritur. Për shkak të një politike të mençur, ne e kemi formuar një pozicion të fortë negociues, sipas të cilit nuk mund të ketë negociata për asnjë propozim të ri pa u formuar Asociacioni i Komunave Serbe,” – u shpreh z. Daçiq në fjalën e tij, përcjell Kosovo-Online.

