Paralajmërimi i Ramadanit: Javët e ardhshme janë të gjata për Kosovën
Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka dhënë një prononcim për gazetën Front Online, ku ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, pra z. Ramadanit, javët e ardhshme do të jenë të gjata për Kosovën.
“Besoj se javët e ardhshme do të jenë vërtet të gjata për Kosovën.” - tha ai
Tutje, Ramadani beson se Kosova duhet t’i koordinojë veprimet me NATO-n.
“Kosova, institucionet e saj duhet të jenë më të sinkronizuara në planifikimin e veprimeve dhe jo vetëm në realizimin e tyre me partnerët ndërkombëtarë. Me NATO-n më konkretisht, në mënyrë që Kosova të jetë jo vetëm pala konstruktive, por se Kosova duhet ta shohë veten në çdo veprim, në lidhje të përbashkët me NATO-n.” - tha ai.
“Vuçiq, edhe për arsye të brendshme, në të njëjtën formë sikurse ka bërë Milosheviçi gjatë viteve ’90, sa herë që ka pasur kriza për pushtetin e tij, është gjuajtur kah Kosova. Dhe normalisht që tregimi, narrativa e rreme e Serbisë për Kosovën deri diku e mobilizon shoqërinë atje. Partitë opozitare, Shoqëria civile dhe mediat, ato pak që kanë mbetur, do të shiheshin si tradhtare të shtetit nëse ato do të fokusoheshin edhe më tutje në rrëzimin e regjimit autoritar të Vuçiq.” – shtoi ai.